AGK: Të ndalet gjuha denigruese në drejtim të gazetarëve

 

Zyrtarja e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Anita Xhabiri, të shtunën ka ofenduar një gazetare të Gazetës Express, pasi ajo ka kërkuar qëndrim të Drejtorisë së Arsimit, pas raportimeve se një nxënëse e klasës së parë është abuzuar seksualisht nga disa nxënës të tjerë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka vlerësuar tërësisht të papranueshme gjuhën ofenduese të Xhabirit dhe kërcënimet nga bashkëshorti i saj në drejtim të dy gazetarëve të Gazetës Express.

“A bën më ditë, a e di çfarë dite është sot. Edhe? Çfarë rasti i jashtëzakonshëm prej gazetës po thirr të shtunën? A je normal ti? Kurrë ma mos gabo me thirr në këtë numër. Hiç kurrë. Budallica e thiut”, janë fjalët me të cilat i është drejtuar Xhabiri gazetares sipas raportimeve të Gazetës Express.

Pas publikimit të lajmit për ofendimin e bërë, raportohet se redaksia e Gazetës Express të shtunën ka pranuar një telefonatë kërcënuese nga bashkëshorti i Xhabirit. Ai ka kërkuar që të largohet lajmi për bashëshorten e tij, ku ka kërcënuar se nëse një gjë e tillë nuk bëhet, gazetarët do të kenë punë privatisht me të.

“E hek lajmin, une jom tu shku në polici, po nuk e hek lajmin, përveç policisë ki punë personalisht me mu. Ti ki problem me familjen tem, sjelljet apo çkado qoftë që ti shkrun, e hani m*t, atë ki problem. Kur te thirrësh gruan tem, ki problem me mu. Nuk o tu m’hangër për çka je tu e thirrë grun tem, ti je tu e thirrë gruan tem, për informata zyrtare shko n’rrotë t’samës. Këtë që e ke publiku ki qasje private me mu, jo zyrtare. E largon, unë po shkoj në polici edhe po vi te ju edhe e zgjidhim rastin menjëherë, a u kuptum?”

Pas raportimit të rastit në polici, gazetari i Gazetës Express është intervistuar në cilësinë e viktimës. Teksa, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti sipas viktimës mashkull kosovar përmes telefonit e ka kanosur viktimën i cili është gazetar. I dyshuari ka mohuar se e ka kanosur, por vetëm ka kërkuar që të fshihet një shkrim që ka të bëjë me bashkëshorten e të dyshuarit. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës.

Për AGK-në është shqetësuese fakti që gazetarët janë ende pre e ofendimeve dhe kërcënimeve të tilla nga zyrtarët publikë. Gjuha e tillë denigruese nga zyrtarja e komunës dhe kërcënimi i bërë në drejtim të gazetarëve nga bashkëshorti i saj është tërësisht e papranueshme dhe e cenon lirinë e shprehjes dhe medieve.

AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve publikë që ta njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të distancohen nga ofendimet dhe kërcënimet në drejtim të tyre. Teksa, për çfarëdo padrejtësie që mendojnë se iu bëhet t’i drejtohen organeve kompetente./21Media

Back to top button