​AGK: Vetëvendosje të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një komunikate për media, tha se ka ndjekur me shqetësim presionin publik që deputetë të Vetëvendosjes kanë bërë ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila e ka bojkotuar konferencën për shtyp të ministres së MINT, Rozeta Hajdari, bashkë me shumicën e kolegëve të mediave të tjera.

Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares.

AGK-ja, e konsideron bojkotin e së martës, si formë legjitime të protestës së gazetarëve dhe mediave, dhe fton partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik.

Gjithashtu, AGK-ja e fton menaxhmentin e RTK-së të mos ndikohet nga presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren.

Back to top button