Daka: Tri kuti janë propozuar për rinumërim

Daka: Tri kuti janë propozuar për rinumërim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka miratuar planin operacional për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor 2017.

Në këtë mbledhje, koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj paraqiti raportin më të fundit nga procesi i rinumërimit të grupit prej 280 vendvotimeve. Ai bëri të ditur se ka mbetur edhe një numër i vogël i kutive të votimit për t’u rinumëruar dhe se shumica prej tyre do të rinumërohen pjesërisht.

Ahmetaj tha se procesi i rinumërimit pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme dhe pastaj të vazhdohet me numërimin e votave që kanë ardhur me postë që janë 5 mijë e  246 dhe atyre me kusht që janë 25 mijë e 386.

Në këtë mbledhje, me rekomandim të QNR-së, KQZ-ja vendosi për të rinumëruar edhe tri kuti tjera të votimit, për shkak të disa mospërputhjeve.

“Ka mospërputhje të kuotave të subjekteve kundrejt votave të kandidatëve që subjektet kanë pasur vota dhe kandidatët s’kanë pasur. Ka dhe raste tjera ku kandidatët e tejkalojnë numrin e votave të subjektit. Janë duke u rinumëruar dhe dy kutitë e fundit, të cilat janë rinumërim i plotë dhe janë rreth 45 vendvotime të cilat është dashur nga pjesa e rinumërimit të pjesshëm, të cilat do të kryhen besoj brenda ndërrimit”, tha Ahmetaj.

Ai ka folur dhe për mos përputhjen e  fletëvotimeve dhe nënshkrimeve në disa nga qendrat e vendvotimeve.

“I kemi dhe dy raste, të cilat iu kanë nënshtruar rinumërimit. Është fjala nga këto vendvotime, 280 vendvotime që ka qenë rinumërimi i pjesshëm, gjatë rinumërimit vendvotimi 28.02 b04 b e tejkalon nivelin e tolerancës, sepse ka gjashtë nënshkrime më shumë se sa fletëvotime. Ky rezultat i mospërputhjes ka dal pas rinumërimit. E kemi dhe një vendvotim tjetër. Gjatë rinumërimit të vendvotimit 30/32 në komunën e Malishevës rezulton se mungon numri serik për 6 fletëvotime”, tha Ahmetaj.

Ndërsa Adnan Rrustemi ka thënë se kjo situatë duhet të analizohet.

“Duhet pak me analizuar, me ditur pak, si ka mundur me ardhur kjo situatë. Nuk është e thjeshtë me munguar 6 fletëvotime nga dengu i fletëvotimeve të papërdorura në këtë rast. Duhet me pa kush kanë qenë komisionarët, me adresuar”, tha Rrustemi.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se tri kuti janë propozuar që të rinumërohen.

“Për mos me komplikuar më shumë shkojmë me tri kutitë që janë propozim për rinumërim. Një është të procesohet si i rregullt. I kemi dhe dy vendvotime, për të cilat kërkohet që të rritet niveli i tolerancës, që të mund të procesohen si të rregullta”, tha Daka.