Ahmeti konsideron se marrëveshja në fjalë nuk hyn në kuadrin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Ahmeti konsideron se marrëveshja në fjalë nuk hyn në kuadrin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka komentuar ‘marrëveshjen sekrete’ të presidentit Hashim Thaçi, të publikuar nga kryeministri Albin Kurti.

Kurti në një konferencë për media ka deklaruar se presidenti Thaçi sa ishte në krye të Qeverisë ka bërë një marrëveshje me NATO-n, sipas së cilës FSK-ja nuk do të shkojë në veri të Kosovës pa lejen e KFOR-it. Ai madje ka akuzuar Thaçin se e ka fshehur këtë marrëveshje të nënshkruar në vitin 2013 dhe kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që marrin hapa proceduralë për një shkarkim të mundshëm të presidentit për shkak të shkeljeve kushtetuese.

Por, ish-kolegu i Albin Kurtit, Shpend Ahmeti që vjen nga radhët e PSD-së konsideron se marrëveshja në fjalë nuk hyn në kuadrin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por më shumë mund të shihet si një zotim i Thaçit dhënë sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Ai tha se bashkëpunimi i Kosovës me NATO-n nuk duhet të vihet në pikëpyetje.

“Të gjitha partitë politike e kanë potencuar që marrëveshjet apo bashkëpunimi jonë me NATO-n nuk vihet në pikëpyetje. Kushtetuta jonë e thotë që çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të ratifikohet dhe meqenëse nuk është ratifikuar, ajo nuk është marrëveshje ndërkombëtarë. Më shumë e konsideroj si një zotim. Ka shumë e shumë tema tjera për të cilat mendoj se do të mund të gjejmë gjëra për veprimet e presidentit Thaçi gjatë kohës sa ishte kryeministër, por edhe si president se sa kjo”, u shpreh Ahmeti.