Ajaxi fiton titullin e 35-të në histori të Eredivisie

 

Ajaxi ka fituar sot titullin e 35-të në Ligën e Holandës, Eredivisie, ku skuadra e Eik ten Hag mposhti me rezultat të thellë 4:0 Emmenin, në “Johan Cruijff Arena”.

Triumfi i radhës për Ajaxin ishte sot, ku e kompletuan dyshen me Kupën e Holandës dhe titullin e Eredivisie.

Lajmet e mira për Ajaxin vazhduan sot, ku edhe para dy ditësh klubi holandez e konfirmoi se trajneri Ten Hag ka nënshkruar kontratë dy vjeçare, duke e vazhduar të ardhmen në Amsterdam, pavarësisht spekulimeve të shumta që mund të jetë trajneri i radhës te skuadra angleze Tottenham.

Ajaxi e fitoi titullin e ri në historinë e kësaj lige, me vetëm 31 ndeshje, ku deri tani kanë arkëtuar 79 pikë, dhe skuadra e PSV që gjendet në pozitën e dytë nuk mundet më që t’i rivalizojë ata, pavarësisht se ka edhe tri xhiro deri në përfundim të sezonit 2020/21.

Këtë sezon, Ajaxi po ashtu e ka fituar edhe KNVB Beker, e njohur si Kupa e Holandës, duke e mposhtur Vitessen para dy javësh, me rezultat 2:1.

Sezonin e kaluar, kampionati ishte pezulluar për shkak të pandemisë COVID-19, ku Ajaxi ka pasur pikët e njëjta me AZ Alkmar pas 25 ndeshjeve, dhe si pasojë nuk ishte zgjedhur kampioni në fund.

Këtë sezon, ata kanë qenë dominues, duke humbur vetëm dy ndeshje, me tri sosh ende të pa zhvilluara deri në fund të kampionatit.

Vetëm dy herë para titullit të këtij sezoni, në histori të klubit, Ajaxi e ka fituar titullin tri ndeshje para se të përfundojë sezoni – 1971/72 dhe 1997/98.

Back to top button