Sipas ASHAK-ut, kjo është edhe një lloj hakmarrje e Ramës ndaj Kosovës!

Sipas ASHAK-ut, kjo është edhe një lloj hakmarrje e Ramës ndaj Kosovës!

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka reaguar për nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për krijimin e projektit të ashtuquajtur “Mini-Shengen”.

Ky reagim i ASHAK-ut vjen pas një seri sulmesh të Ramës në drejtim të politikës dhe institucioneve të Kosovës, që kanë kundërshtuar një ide të tillë dhe kanë refuzuar ftesat për pjesëmarrje në një tavolinë me Serbinë.

ASHAK-u konstaton se një nismë e tillë ka për qëllim rrënimin e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit.

Sulmet e kryeministrit të Shqipërisë në drejtim të Kosovës nga ASHAK-u i shohin si një hakmarrje të paarsyeshme që ka konotacion shqetësues për të ardhmen e raporteve Kosovë-Shqipëri.

Në reagimin e lëshuar sot nga ASHAK, gjithashtu përmendet edhe fakti se si Edi Rama ka sulmuar një gazetare duke e akuzuar për ‘pyetje patetike’, në momentin kur ajo ka përmendur faktin që Serbia s’ka kërkuar falje për krimet qe shteti serb i ka kryer kundër civilëve në Kosovë.

Nga ASHAK-ut ndër të tjera thonë se një ide e tillë për ‘Mini-Shengen’ nuk mund të jetësohet duke qenë se Serbia do të ketë rol dominues aty dhe bazuar në faktin se Beogradi zyrtar vazhdon me qasje destruktive ndaj Kosovës, nuk e njeh si shtet dhe çdo ditë e lufton subjektivitetin ndërkombëtar.

Sipas ASHAK-ut, kjo është edhe një lloj hakmarrje e Ramës ndaj Kosovës.

Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrjeje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

ASHK-u gjithashtu ka kritikuar shoqërinë civile dhe botën akademike në Shqipëri të cilët nuk kanë reaguar ndaj sulmeve të Ramës karshi Kosovës./21Media