Akademiku Minir Dushi nderohet me titullin ‘Doctor Honoris Causa’ në Mitrovicë
Akademiku Minir Dushi u nderua sot me titullin ‘Doctor Honoris Causa’ nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, i cili shënoi sot 10 vjetorin e themelimit.
Gjatë këtij manifestimi, ku morën pjesë autoritete të shumta arsimore, shkencore, kulturore, politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, u ekzekutuan pika të muzikës artistike dhe u shfaq një dokumentar për rrugëtimin e jetës akademike për 62 vjet në qytetin e Mitrovicës.
Alush Musaj, rektor i Univeristetit “Isa Boletini” në Mitrovicë tha se themelimi i një universiteti në Mitrovicë ishte kurorëzim i një rrugëtimi prej gjysmë shekulli të jetës akademike dhe një ëndërr e gjeneratave të tëra.
Sipas tij, Universiteti i Mitrovicës sot është shndërruar në një kampus modern dhe institucion të konsoliduar, i cili ka krijuar kushte të jashtëzakonshme për të rinjtë.
“Vendimi i kryeministrit Hashim Thaci për themelimin e Universitetit ‘Isa Boletini’ më 6 mars 2013, i dha fund dilemës që një institucion i arsimit të lartë të jetë apo mos të jetë në këtë qytet. Dhe ja sot jemi këtu, në një kampus modern, në një institucion të konsoliduar që ka krijuar kushte të jashtëzakonshme për të rinjtë tanë”, tha Musaj.
Shpresa Hoxha, prorektore e këtij universiteti, duke folur për biografinë e akademikut Dushi, përmendi disa cilësi për të cilat tha se e karakterizojnë këtë njeri të dijes.
“Nuk mund të kalojmë pa i përmendur edhe njëherë disa nga cilësitë që e karakterizojnë këtë njeri të dijes, të tilla si, përgatitje e lartë profesionale, zgjuarsi e jashtëzakonshme, qetësi dhe takt pedagogjik, ndjenjë përgjegjësie, pedantëri dhe këmbëngulësi, guxim e gatishmëri për t’u ballafaquar me vështirësitë dhe prirja përparimtare për reformimin e arsimit. Në postet që ushtroi si atë të drejtorit, dekanit, prorektorit, rektorit etj, ai tregoi cilësi të rralla organizative dhe profesionale”, theksoi Hoxha.
Vesa Broja, kryesuese e kuvendit komunal të Mitrovicës uroi bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen, për zhvillimin e arsimit në Kosovë.
“Në emër të komunës së Mitrovicës më lejoni t’ju përshëndes me dëshirën për një të ardhme të ndritur dhe të suksesshme për të gjithë. Le të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe të bëjmë progress në nxitjen e zhvillimit të arsimit në Kosovë”, tha ajo.
Në anën tjetër, akademiku Minir Dushi, pasi falënderoi përfaqësuesit e Universitetit për titullin e dhënë, evokuoi kujtime interesante nga e kaluara e tij në kombinatin Trepça të Mitrovicës.
Ai veç tjerash rrëfeu për gëzimin e madh të punëtorëve të Trepcës pas ardhjes së tij në këtë kombinat.
“Ardhja e një inxhinieri të diplomuar shqiptar në vitin 1958, i kishte gëzuar shumë minatorët. Ata nuk mund të imagjinonin të ketë inxhinier shqiptar të minierave, meqë atëherë aty punonin inxhinierë anglezë, gjermanë, sllovenë, serbë etj. Disa punëtorë më kureshtarë e hapnin derën e zyrës sime vetëm për të parë si duket inxhinieri shqiptar. .. Si autor i 18 librave të botuara shkencore nga lëmia e gjeologjisë dhe minierave, të botuara nga Akademia e shkencave dhe arteve të Kosovës, si dhe një numër i mad hi punimeve shkencore dhe profesionale, më lejoni të përmendi tre vepra që lidhen me qytetin e Mitrovicës. Vepra e par që Trepca, e cila paraqet një monmografi studimore të kombinatit Trepca si një system i integruar tekniko teknologjik, vepra e dytë, zhvillimmi i veprimtarisë shkencore në ish Jugosllavi dhe Kosovë me vështrim të veçantë në kombinatin e Trepcës, dhe vepra e tretë ka të bëjë me zhvillimin e arsimit universitar në qytetin e Mitrovicës”, u shpreh Dushi.