AKB: Shkëmbimet tregtare Kosovë – Shqipëri thyejnë rekord

Importet dhe eksportet në mes bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë kanë thyer rekord në rritje prej 28%, gjatë vitit 2023.

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë një studim nga i cili thuhet që shkëmbimet tregtare në mes të këtyre dy vendeve kanë arritur shumën prej 440 milionë euro.

“Shkëmbimet tregtare mes dy shteteve tona Kosovë-Shqipëri për vitin 2023 thyen rekordin me importe dhe eksporte mes bizneseve, ku Kosova ka importuar nga Shqipëria rreth 326 milion € kurse bizneset e Kosovës kanë eksportuar 113 milion €”, ka shkruar AKB-ja në Facebook.

Tutje thuhet se shërbimet tregtare janë rritur dukshëm në krahasim me vitin 2022, ku në po atë vit shërbimet tregtare kanë arritur vlerën prej 356 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 ishin rreth 439 milionë euro, shkruan rtv21.tv.

Që sipas AKB-së i bie që ka pasur rritje për 28% më shumë se në vitin 2022.

Kryetari i AKB-ës, Agim Shahini ka thënë se pavarësisht raporteve politike dhe qeveritare, bizneset, qytetarët dhe konsumatorët në të dy anët rritin bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellët në të mirë të rritjes së ekonomisë kombëtare./21Media

Back to top button