AKK: Të ndalen kërcënimet e Albulena Haxhiut ndaj Xhafer Tahirit

 

Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka shprehur shqetësimin në lidhje me “përplasjen” midis ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut dhe kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe reagimin e vetë si organizëm i të gjithë Kryetarëve të Komunave të Kosovës lidhur me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z.Xhafer Tahiri. Sigurojmë znj. Haxhiu që secili Kryetar i Komunës, e edhe z. Xhafer Tahiri, si kryetar i Komunës së Vushtrrisë janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror duke respektuar ligjin dhe ndarjen e kompetencave e përgjegjësive në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror. Sulmet në media ndaj Kryetarëve të zgjedhur të Komunave, pa i shterur të gjitha kanalet e brendshme të komunikimit zyrtarë janë të papranueshme dhe tentim për ushtrim të ndikimit. Ftojmë Ministren Haxhiu të tërheqë kërcënimin publik ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z. Tahiri”, ka reaguar AKK, në një postim në Facebook.

Kujtojmë se, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të shtunën ka reaguar në idhje me pronën “Vicianum” në Vushtrri. Ajo ka thënë se në këtë pronë kompania të cilës i ishte shkëputur kontrata për shkelje ligjore, ka filluar sërish punimet.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, i cili ka thënë se Haxhiu kishte refuzuar t’ia kthej pronën e ish Motel Vicianum komunës së Vushtrrisë.

Tahiri gjithashtu ka kërkuar nga Haxhiu që të mos i bëj presion publik, por t’i zgjedh problemet juridike të Ministrisë që, sipas tij, vet i ka krijuar./21Media

Back to top button