‘’Përplasen’’ Haxhiu e Tahiri për pronën e Vicianumit

 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar në idhje me pronën “Vicianum” në Vushtrri. Ajo ka thënë se në këtë pronë kompania të cilës i ishte shkëputur kontrata për shkelje ligjore, ka filluar sërish punimet

Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga krytetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri që të mos lejojë “keqpërdorimin e pronës publike”.

“Kompania të cilës ia kemi shkëputur kontratën për shkak se e njëjta ishte lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri. Kryetari i Komunës, z. Xhafer Tahiri nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike. Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet. Ne jemi njoftuar që kompania ka paditur Ministrinë prandaj deri në një vendim të Gjykatës, kompania nuk guxon të rifillojë punimet. I bëjmë thirrje kryetarit të Komunës ta mbrojë pronën publike dhe po ashtu policisë që ta zbatojë vendimin e Ministrisë. “, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahirit, i cili ka thënë se Haxhiu kishte refuzuar t’ia kthej pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë.

Tahiri gjithashtu ka kërkuar nga Haxhiu që të mos i bëj presion public por t’i zgjedh problemet juridike të Ministrisë që, sipas tij,  vet i ka krijuar.

”Ju vet keni refuzuar të ja ktheni pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë, njësoj si në mandatin tuaj të parë. Prandaj ktheja pronën Komunës së Vushtrrisë që të bëjmë Stacionin e Autobusve. Tani, mos kërko nga unë, e as mos ushtro presion publik e përmes telefonit, për të zgjedhur problemet juridike të Ministrisë që vet i keni krijuar”, ka shkruar Tahiri, teksa ka kërkuar nga Haxhiu që problemet e saj t’i zgjidh vet./21Media 

Back to top button