AKP shpall qiradhënie të 233 objekteve dhe tokave atraktive në të gjitha rajonet e Kosovës

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka hapur shpalljen publike për qiradhënien e 233 aseteve atraktive që gjenden në pesë rajonet e Kosovës.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga AKP.

“Në rajonin e Prishtinës ofrohen për qiradhënie 28 asete, në rajonin e Pejës 98 asete, në rajonin e Prizrenit 76 asete, në rajonin e Gjilanit 16 asete dhe 15 asete lëshohen me qira në rajonin e Mitrovicës. Asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ofrohen për qiradhënie janë të kategorive të ndryshme duke filluar prej objekteve afariste, zyrave, depove e lokaleve e deri tek ngastrat kadastrale si toka bujqësore”, thuhet në komunikatë për media.

Tutje bëhet e ditur se shpallja publike është e hapur që nga dita e sotme.

“Shpallja publike është e hapur që nga dita e sotme (datë 24.05.2024), ndërsa dorëzimi do të bëhet me datë 07.06.2024 prej orës 10:00 – 12:00 në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç në zyrat rajonale respektive të AKP-së: Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe Mitrovicë. Hapja e ofertave dhe publikimi i çmimeve bëhet 15 minuta pas dorëzimit, pra duke filluar prej orës 12:15. Ofertat përmes faksit ose postës elektronike nuk do të pranohen. Ky është një rast i volitshëm për ndërmarrësit e rijnë që të funksionalizojnë kompanitë e tyre në asetet që janë shpallur me qira nga AKP, pasi që ofrohen për shfrytëzim asete mjaft atraktive në të gjitha rajonet e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

AKP tutje njofton se periudha e qiradhënies është për 1 vit me mundësi vazhdimi, ndërsa parashihet edhe ndërprerja e saj në rast të privatizimit.

“Për shfrytëzim komercial aplikohet qiraja mujore, kurse për shfrytëzim bujqësor aplikohet qiraja vjetore (sezonale). Ofertat bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur (një zarf – një ofertë për një njësi), dorëzohen në Zyrat Rajonale respektive, ashtu siç është e cekur në shpallje. Në rastet e qiradhënies në vlera mbi 1,000 €uro mujore, para nënshkrimit të kontratës do të kërkohet nga ofertuesi fitues të sjellë garancionin bankar (jo letër zotimi nga banka) apo garancionin e lëshuar nga Kompania e licencuar e Sigurimeve. Për dorëzimin e ofertës duhet të përdoret Formulari për Dorëzimin e Ofertës, i cili mund të merret në Zyrat Rajonale respektive siç është theksuar në shpallje, apo të shkarkohet nga ueb-faqja: www.pak-ks.org. Kriteri për përzgjedhjen e ofertuesit fitues të njësive përkatëse do të jetë çmimi i ofertës më të lartë. Të dhënat e detajuara për pronat lëndë e ofertës mund të merren në Zyrat Rajonale, varësisht për çfarë aseti interesoheni”, përfundon komunikata./21Media

Back to top button