Aksident zinxhir në Zhur të Prizrenit, tre persona të lënduar
Tre persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident mes tetë veturave të ndodhur në kilometrin e dytë të rrugës Zhur-Prizren, në drejtim të pikëkalimit kufitar të Vërmicës.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Sipas raportimeve te deritashme ju njoftoj se në kilometrin e dytë (fshati Zhur – Prizren), në drejtim të Pikëkalimit kufitar Vermicë, si pasojë e një aksidenti me tetë vetura rruga është bllokuar përkohësisht. Tre persona raportohet se kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Automjetet janë duke shfrytëzuar rrugët alternative. Apelojmë tek të gjithë shoferët, qe gjatë vozitjes të respektojnë rregullat e trafikut, të zvogëlojnë shpejtësinë, dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e tyre dhe të tjerëve”, tha ai.
Hoxha tha se tani rruga e bllokuar në drejtim të pikëkalimit kufitar të Vermicës është liruar.
“Informacion shtesë: Nga njësia policore për menaxhimin e autostradës jemi informuar se nga ky moment rruga e cila ka qenë e bllokuar në drejtim te PKK Vermicë, është liruar dhe qarkullimi është kthyer në normalitet”, deklaroi ai për portalin rtv21.tv /21Media