Aksidenti i ministres Hajdari, nga Prokuroria tregojnë se në çfarë procedure u inicua rasti

Aksidenti që shkaktoi dje ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u inicua në procedurë të kundërvajtjes.
Këtë e konfirmoi sot për rtv21.tv zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se pas informimit të prokurores kujdestare nga policia, bazuar në raportin mjekësor se, personi i mitur pasi ka pranuar tretman mjekësor është liruar në gjendje të mirë në shtëpi, konform dispozitave ligjore, rasti është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes.”, informoi Ulaj.
Ndërkohë, Policia informoi se dje në rrugën Vicianum, në Prishtinë, një e dyshuar femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, goditi viktimën mashkull kosovar.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor.”, bëri të ditur Policia.
Ndërkohë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka informuar se një fëmijë është përplasur në veturën e saj. Ajo ka potencuar se ka reaguar menjëherë, derisa ka njoftuar se pas ekzaminimeve mjekësore, fëmija nuk ka pësuar lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi./21Media

Back to top button