Aksion para Kuvendit, gratë kërkojnë legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje

Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist ka organizuar një aksion para Kuvendit të Kosovës, me thirrjen për legalizimin e sprejit vetëmbrojtës.
“Sot përsëritëm kërkesën tonë për legalizim të sprejit irritues për vetëmbrojtje pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke e konsideruar thellësisht të padrejtë kriminalizimin e mjeteve për vetëmbrojtje për vajzat e gratë, ne kërkojmë që shteti përfundimisht të përgjigjet dhe të mos vazhdojë t’ua kriminalizojë edhe më tutje mbrojtjen e vetës”, thuhet në njoftim.
KMVF thotë se raportimet e përditshme të rasteve të dhunës seksuale po tregojnë që siguria e vajzave dhe grave po vazhdon të neglizhohet nga institucionet shtetërore, duke i lënë gratë dhe vajzat të pambrojtura dhe lehtësisht të cënueshme në çdo hapësirë”.
“Sulmet seksuale, përdhunimet e ngacmimet janë përditshmëria e grave dhe vajzave në Kosovë. Pra, për një pjesë të madhe, çdo ditë është luftë. Çdo ditë ato jetojnë në ankth e frikë, pa shumë mundësi mbrojtjeje. Duke qenë që shteti po dështon të ofrojë siguri, atëherë ne detyrohemi ta mbrojmë vetën, me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion. E këtë, nuk do të vazhdojmë t’ia lejojmë shtetit të na mohojë”, vazhdon njoftimi.
KMVF ka kërkuar që “përdorimi i sprejit irritues të dekriminalizohet për përdorim për vetëmbrojtje”.
“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari siguri për vetën e secilën vajzë e grua që sot jeton me frikë. Deri atëherë kur të gjitha të jemi të lira e të sigurta”, përfundon KMVF./21Media

Back to top button