Aksion simbolik para rektoratit të UP-së: Mos na prek Hasan Prishtinës

Fondacioni “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare Kulturore “Luma” nga Kukësi, SHHSHM-Shkup Shoqata e historianve Shqiptar në Maqedoni, personalitete dhe historian nga bota akademike, në shenje kundërshtimi ndaj idesë për heqjen e emrit Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës, organizon aksion simbolik ku u dërguan lule të freskëta tek shtatorja e Hasan Prishtinës në Prishtinë.

Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina tha se kanë ardhur për ta kundërshtuar rreptë heqjen e emërtimit të Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës.

“Arsyetimi i rektorit se kjo çështje shkakton konflikt apo shkakton probleme në rangimin ndërkombëtar të punimeve shkencore është i pa bazë. Lidhur me këtë argumentim unë jam duke u marrë prej vitit 2013 kur rektori e ka shfaqur këtë indinjatë, këtë pakënaqësi të emërtimit…pra rektorit sot kemi ardhë me i thënë stop, mos na prek Hasan Prishtinën…një nismë e një rektori të porsazgjedhur duhet të përfundoj me largimin e tij sepse e ka nis mbrapsht reformën. Reformat rrënjësore janë të nevojshme por duhet të nisin mbarë dhe jo me heqjen e emrit tij“, tha ai, duke shtuar se pas 11 vitesh qohet një i posazgjedhur dhe propozon heqjen e emrit të Hasan Prishtinës, gjë që është një ofendim i rënd për të gjithë shqiptarinë.

Ai shtoi se ata nuk do të ndalen me masat e tyre në mbrojtje të emrit të kolosit Hasan Prishtinës.

Profesori Shefqet Hoxha, përfaqësues i shoqatës atdhetare kulturore ”Luma”, nga Kukësi rikujtoi kontributet e Hasan Prishtinës për pavarësinë e Shqipërisë dhe për Kosovës.

“Të heqësh emrin e Hasan Prishtinës prej këtij universiteti për mua është një çmenduri sepse është një ndër figurat më të shquara të Kosovës dhe ndër figurat më të shquara të gjithë Shqipërisë. Ata që e kanë menduar këtë mua me duket se kanë gabuar rënd dhe kam bindje se populli i Kosovë dhe i Kukësit nuk do ta pranojnë këtë gabim fatal që mendohet t’i bëhet këtij udhëheqësi të madh të Kosovës“, tha ai.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore në Shkup, Skënder Hasani tha se udhëheqësi e UP-së, do të duhej të sillej ndryshe në 90 vjetorin e vdekjes së Hasan Prishtinës.

“Në vend që Universiteti i Prishtinës dhe rektori të shpaloste manifestimet për Hasan Prishtinën, del me një ide të çoroditur për të ndryshuar emrin e universitetit Hasan Prishtinës”, tha ai.

Profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Bujar Dugolli ka thënë se figura e Hasan Prishtinës është një figurë e ndritur që nuk ka mundur ta kontestoi askush.

“Në aspektin historik sikur kur të emërohet një institucionet ka një bazament pse është emëruar, sikur kur t’i hiqen emrat e emërimeve të tilla, pa një argument shkencor e profesional pse duhet të hiqet. Prandaj, ne kemi pas emërtime në të kaluarën mbi emrat e okupatorëve, qoftë të rrugëve, qoftë të institucioneve dhe i kemi larguar ato, por nuk mund të largohen emrat e patriotëve e emrat e intelektualëve që tërë jetën e kanë shkri për atdheun, tërë pasurinë e kanë shkrirë për arsimin dhe të del dikush të jep ide koti se po e pengon universitetin në rangime ndërkombëtare. Kjo është absurd. Nëse gjendet ndonjë fakt tjetër, urdhëro le t’i prezantojnë, por nëse nuk ka fakt tjetër, ky është një absurd i llojit të vet“, tha ai.

Back to top button