Aksioni i PSD-së, shkruajnë ”KM” në veturat e Qeverisë

Partia Socialdemokrate ka kundërshtuar marrëveshjen tri pikëshe të arritur në Bruksel për targat e automjeteve nga Serbia.
Aktivistët pranë Qeverisë së Kosovës kanë vendosur në veturat zyrtare të Qeverisë, letër ngjitëse me mbishkrime të targave të ashtuquajtura ”Kosovska Mitrovica” dhe simbole të Serbisë. Në këtë aktivitet që nuk është penguar nga policia, aktivistët kanë shkruar në veturat zyrtare edhe ”KM”.
Aktivisti i PSD-së, Zgjim Hyseni tha se marrëveshja e djeshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat është kthim prapa për vendin.
Hyseni vlerësoi se marrëveshja për targat është në logjikën e Asociacionit, sepse siç theksoi ai kriterin e ka etnik dhe territorial.
”Marrëveshja për targat e nënshkruar dje, është kthim prapa. Paramendoni Kosova po diskuton për targa e për letër ngjitëse e jo më për marrëveshjen finale. Marrëveshja për targat është në logjikën e Asociacionit, sepse kriterin e ka etnik dhe territorial. Pra, në Kosovë në bazë të etnisë kemi targa ”KM”, të cilat vlejnë në një pjesë të territorit në veri, edhe kemi targa ”RKS” për pjesën tjetër. Kjo është në logjikën e ndarjes së brendshme. Në njërën anë, qeveria po i quan këto targa ilegale, e në të njëjtën kohë i ka pranuar me marrëveshje. Prej planit për reciprocitet simbolik në targa, kemi kaluar në logjikën e ndarjes së brendshme, që është logjikë e ”Zajednicës”, ka thënë ai.
Aktivistët e PSD-së, pas aksionit janë shpërndarë të qetë dhe nuk janë penguar nga policia.

Back to top button