Aksioni i sotëm në asnjë mënyrë nuk është i drejtuar kundër qytetarëve, apo lokacioneve të caktuara
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për zhvillimet në veri të vendit për shkak të operacionit policor të ndërmarrë sot atje, kundër kontrabandës së mallrave.
“Aksioni i sotëm në katër rajone të ndryshme në Kosovë rezultoi i suksesshëm me konfiskim të mallrave dhe arrestim të kontrabanduesve të tyre. Ky aksion është në vazhdën e angazhimit tonë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në tërë territorin e Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk është i drejtuar kundër qytetarëve, apo lokacioneve të caktuara”, ka thënë Sveçla.
Sveçla gjithashtu ka bërë të ditur se janë tetë zyrtarë policorë të lënduar në këtë aksion.
“Tashmë keni informata se janë tetë zyrtarë policorë të lënduar, ftoj institucionet përgjegjëse të reagojnë karshi atyre që sulmuan zyrtarë”, ka thënë Sveçla gjatë një konference për media.
Sot është realizuar një operacion policor kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në veri të Mitrovicës grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?