Aktakuza për vdekjen e dy fëmijëve

Tri aktakuza janë ngritur për vdekjen e dy fëmijëve, 9 dhe 11 vjeç

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, O.C. dhe B.B., dhe personit juridik – biznes me seli në fshatin Landovicë të komunës së Prizrenit.

”Aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se të akuzuarit O.C. dhe B.B., prej vitit 2010, e në vazhdim, si persona përgjegjës për sigurim dhe shëndetin në vendin e punës, në biznesin me seli në fshatin Landovicë nga pakujdesia, nuk veprojnë në pajtim me dispozitat dhe rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikojnë jetën e njerëzve, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme argjilën dhe lëndë të tjera minerale, nuk zbatojnë kriteret e parapara për shfrytëzimin e argjilave, me ç’ rast gropat e krijuara në dyshemenë e fushës së shfrytëzimit ishin mbushur me ujë dhe si pasojë e kësaj më 16.06.2015, në këtë gropë me ujë mbyten dy fëmijë njëri 11 vjeç dhe tjetri 9 vjeç”, bëhet e ditur në komunikatë e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, këto veprime secili kanë kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe sigurimi i sigurisë në vendin e punës.

Ndërsa i akuzuari O.C., si person përgjegjës i biznesit akuzohet edhe për veprën penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit.

”Edhe biznesi si person juridik akuzohet për veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe sigurimi i sigurisë në vendin e punës dhe veprën penale degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, njoftohet më tutje në komunikatë./21Media

 

Back to top button