Aktakuzë për keqpërdorim të detyrës ndaj një zyrtari në Komunën e Dragashit

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër një personi zyrtar, referent pranë Zyrës kadastrale të Drejtorisë për urbanizëm, kadastër dhe mbrojtjen e mjedisit të Komunës së Dragashit për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Përmes një njoftimi për media prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri e ka kryer në vazhdimësi këtë vepër penale, shkruan rtv21.tv.

“Sipas aktakuzës, me datë 07.09.2021 në Dragash, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e këtij të fundit, vepron në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, në atë mënyrë që ngastrat kadastrale: P-457, P-1478 dhe P-2138 të Zonës Kadastrale të fshatit Brezne – Komuna e Dragashit, me pronar ekzistues D.B., pa bazë juridike dhe procedurë të rregullt ligjore, të njëjtat i regjistron në emrin e qytetarit H.B., duke ia lëshuar të njëjtit certifikatën e pronësisë së datës 07.09.2021, e cila certifikatë është në kundërthënie të plotë me certifikatën e pronësisë së datës 14.08.2018 lëshuar nga po i njëjti autoritet, qytetarit – të dëmtuarit D.B”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Ndërsa, tutje thuhet se pa asnjë lloj autorizimi i pandehuri ka përpiluar një shpjegim të cilin e ka nënshkruar dhe e ka vulosur me vulën zyrtare të autoritetit kadastral dhe ia ka dërguar Gjykatës, në lidhje me aktakuzat e ngritura.

“Ndërsa, me datë 02.11.2021 jashtë çdo autorizimi lidhur me detyrën e tij zyrtare, përpilon Shpjegimin me shkrim për Gjykatën, të cilin e nënshkruan dhe e vulos me vulën zyrtare të autoritetit kadastral, madje pa e protokolluar fare të njëjtin, ia dërgon Gjykatës, në të cilin shpjegim i ka paraqitur sqarimet – arsyet e tij se përse i ka regjistruar ngastrat e lartpërmendura kadastrale nga pronari ekzistues D.B., në personin tjetër H.B., me çka i shkakton dëm të dëmtuarit D.B., në vlerën e ngastrave kadastrale prej 250,000.00 euro”, thuhet në njoftim.

Prokuroi i çështjes ka propozuar Gjykatës që pas shqyrtimit të rastit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./21Media

Back to top button