Albin Kurti pjesë e listës zgjedhore të Vetëvendosjes
13 Janar 2021
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të futë në garë për deputet, kryetarin Albin Kurti.
Ky lajm është bërë i ditur nga aktivisti Atdhe Arifi, i cili ka shpalosur listën e kandidatëve të Qendrës në Prishtinë, e që kësaj liste i prin Albin Kurti.
Në këtë listë po ashtu është edhe Albulena Haxhiu.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen më 14 shkurt.
“Nga Qendra e Prishtinës, kandidatët për deputetë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! janë: Albin Kurti, Liburn Aliu, Arben Vitia, Xhelal Sveçla, Glauk Konjufca, Fitore Pacolli, Albulena Haxhiu, Hatixhe Hoxha. Na priftë e mbara, me Albinin përpara!”, ka shkruar Arifi.