Alexei Navalny dënohet me tre vjet e gjysmë burg

 

 

Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, është dënuar me burg. Një gjykatë në Moskë ka marrë vendim për shndërrimin e dënimit me kusht në dënim me burgim prej 3 vjet e gjysmë për liderin opozitar.

“Gjykata vendosi në favor të Shërbimit të Ndëshkimit Federal [Rus] për prishjen e vendimit të dënimit me kusht kundër A. Navalny. Ai u caktua në paraburgim para se vendimi të hynte në fuqi”, tha me rastin e leximit të vendimit të gjykatëses, Natalija Repnjikova.

Sipas pretendimeve të mëparshme nga autoritetet ruse, Navalny dhe vëllai i tij dëmtuan financiarisht kompaninë e Yves Rocher, për të cilën ata morën dënime me kusht me burg prej tre vjet e gjysmë.

Sipas BBC, Navalny ka qenë në paraburgim që kur u kthye në Rusi muajin e kaluar.

Ai po trajtohej në Gjermani për muaj me radhë pas një sulmi pothuajse fatal që pësoi në muajin gusht me një agjent nervor.

Vendimi i 2 shkurtit vjen në kohën e zemërimit ndërkombëtar në rritje lidhur me ndalimin që i është bërë kritikut të Kremlinit dhe pas protestave të dhjetëra mijëra rusëve në fundjavat e kaluara në gjithë Rusinë./21Media

Back to top button