Aliu në Preshevë: Do të organizojmë takime të rregullta
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrasrukturës, Liburn Aliu, sot është takuar me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, gjatë një vizite zyrtare në këtë komunë.
Ai ka bërë të ditur se në fokus të vizitës ishin diskutime për bashkëpunimin e mëtutjeshëm dhe krijimin e lidhjeve më të sigurta e të qëndrueshme, për avancimin e të drejtave dhe mirëqenien e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Jemi të bindur që komunikimi dhe përkushtimi për të bashkëpunuar edhe më tej në aktivitete e projekte të ndryshme kulturore e sportive do të kontribuojë në të mirën e përgjithshme, e ne si Qeveri do të organizojmë takime të rregullta, si domosdoshmëri të punës së përbashkët për të avancuar më tej në krijimin e raporteve të shkëlqyera në mes nesh”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Nga ana tjetër edhe Kryetarja Sinani është shprehur e nderuar për këtë vizitë dhe bashkpunimin që do të vazhdojë.
Rreth një muaj më parë për vizitë në Preshevë ka qenë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz. Ajo nga atje është shprehur e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitojë përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë. /21Media