Aliu tregon çka bisedoi me Hetemin, nuk e komenton sulmin nga protestuesit serbë

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka vizituar sot në Komunën e Leposaviqit kryetarin Lulzim Hetimi. Pasi doli nga objekti i komunës, vetura në të cilën ndodhej Aliu u sulmua nga serbët lokalë atje me vezë dhe bojë të kuqe.

Në një postim në Facebook, Aliu tha se ishte nder dhe kënaqësi e veçantë që e takoi Hetemin, por nuk shkroi asgjë rreth incidentit, njofton rtv21.tv.

“Me Kryetarin bashkëbiseduam për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e projekteve që do të kontribuojnë në zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët, respektivisht për projekte infrastrukturore në komunë, me ç’rast i ofruam mbështetje të parezervë”, shkroi Aliu në një postim në Facebook, duke bashkëngjitur fotografi nga takimi.

“E falënderoj Kryetarin Lulzim Hetemi nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës, si dhe Policinë e Kosovës për disiplinën dhe profesionalizmin e pashembullt që po e tregojnë për çdo ditë”, u shpreh tutje ministri.

Aliu bëri vizitën e tij herët në mëngjes, ndërkohë që edhe ditë më parë shprehu dëshirën që ta vizitojë Hetemin, por që një kërkesë e tillë ishte refuzuar nga KFOR-i. /21Media

Ministri Aliu viziton Hetemin, serbët e gjuajnë me vezë dhe bojë të kuqe (VIDEO)

 

Back to top button