Alternativa kërkon BDI-ja të shkojë në opozitë, nëse të gjitha partitë shqiptare hyjnë në pushtet, Besa shkon në opozitë?!

 

Nëse të gjitha partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut hyjnë në Qeveri, atëherë unë do të loboj që Lëvizja Besa të dalë në opozitë. Në këtë mënyrë, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, me siguri dëshiron t’i paralajmërojë socialdemokratët. Kjo do të thotë që nëse, siç u paralajmërua, në shumicën parlamentare, por edhe në qeverinë e re, bëjnë pjesë PDSH-ja, Aleanca-Alternativa dhe BDI-ja, atëherë Lëvizja Besa do të dalë nga koalicioni “Mundemi” dhe do të shkojë në opozitë.

Hoxha, thotë se ai personalisht do të lobojë te subjekti i tij politik të ndodhë kjo, sepse beson se është e rrezikshme dhe e dëmshme që shqiptarët të lihen pa asnjë parti opozitare.

Dëshiroj që të shpreh një shqetësim që ditëve të fundit po plasohet në disa qarqe se gjoja, qenka e dobishme që gjitha partitë shqiptare të bëhen pjesë e Qeverisë së re, në emër të reformave që na presin, gjë që është jo vetëm e gabueshme, por edhe e rrezikshme, madje do ta quaja të dëmshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Hoxha.

Nga ana tjetër, edhe Zekirija Ibrahimi nga Alternativa, e cila është në koalicion me Aleancën për shqiptarët, është kundër që të gjitha partitë shqiptare të hyjnë në Qeveri.

Ai porosit se nëse BDI-ja nuk arrin ta përmbushë premtimin kryesor për kryeministër të parë shqiptar, gjegjësisht nëse Naser Zyberi nuk bëhet kryeministër, atëherë BDI-ja duhet të kalojë në opozitë.

Rrugët tona janë të ndara. Nëse e bëni Naser Zyberin kryeministër, i keni edhe 12 votat tona. Por, nëse nuk e bëni Naser Zyberin kryeministër, vendi juaj është në opozitë”, tha Ibrahimi.

TV21 pyeti LSDM-në – nëse paralajmërimet e fundit të Besës paraqesin problem në shumicën e planifikuar. Por, nga “Bihaqka” pa përgjigje. Nga kjo parti tashmë disa ditë me radhë po përsërisin se bëjnë shumicë të qëndrueshme për një Qeveri të qëndrueshme, me partitë të cilat do të angazhohen për parimet e njëjta.

Jemi plotësisht dakord për respektimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, Marrëveshjen për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Ne jemi të përkushtuar për kohezionin shoqëror, një shoqëri të fortë dhe tolerante, për sundimin e ligjit dhe jemi dakord të kundërshtojmë të gjitha format e nacionalizmit dhe urrejtjes”, thonë nga LSDM.

Përndryshe, në zgjedhjet që u mbajtën më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Ripërtëritja e Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni i Aleancës për shqiptarët dhe Alternativës – 12, “E Majta” – 2, kurse PDSH fitoi një mandat. Edhe LSDM-ja, edhe VMRO-DPMNE-ja shpresojnë se do të arrijnë ta sigurojnë shumicën e nevojshme dhe ta formojnë Qeverinë e re./TV21

Back to top button