Ambasada Amerikane i dhuron 38 shtretër QKUK-së

Këta shtretërdo të shfrytëzohen në katër klinika të ndryshme të QKUK-së

Zyra për mbrojtje dhe bashkëpunim, e cila vepron në kuadër të Ambasadës  së Amerikës në Prishtinë, ka bërë sot dorëzim-pranimin e 38 shtretërve me inventarë mbështetës për njësitë intensive në katër klinika të QKUK-së.

Dr. Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, u shpreh se në vazhdimësi ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me popullin amerikan përmes Ambasadës Amerikane dhe trupave të mbrojtjes së saj, ku në formë të vazhdueshme kanë përkrahur QKUK-në.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili, falënderoi Ambasadën Amerikane për ndihmat që në vazhdimësi po i bëjnë shërbimit spitalor. Ai tha se në vazhdimësi duhet të investojmë edhe në menaxhim më të mirë në mënyrë që të kemi shërbime më të mira për qytetarët.

Me këtë rast, Collen Hyland, Zëvendës Shefe e Misionit të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, tha se QKUK-së i janë dorëzuar 38 shtretër për kujdesin intensiv që do të shfrytëzohen në katër klinika të ndryshme të QKUK-së.  Sipas saj, këta shtretër bashkëkohorë të dhuruar nga SHBA-ja, do t’iu mundësojnë pacientëve rehati më të madhe,  dhe do të mundësojnë  cilësi më të mirë të kujdesit të përgjithshëm.
Duke treguar vlerën e donacionit, ajo shpjegoi se ky donacion kapë vlerën 60.000 dollarëve dhe është financuar nga programi për ndihmë humanitare  i Komandës së forcave amerikane në Evropë, por përpjekjet megjithatë janë  nxitur nga ana e Zyrës për bashkëpunim të mbrojtjes.

Hyland, mes tjerash theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare për mbështetjen e vazhdueshëm për QKUK-në./21Media

Back to top button