Ambasada Amerikane në mbështetje të filmit ‘’Zgjoi’’

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, po ofron mbështetje për  filmin kosovar ‘’Zgjoi’’, me regji të Blerta Bashollit dhe rol kryesor të aktores Yllka Gashi.
Në një postim në faqen e tyre në Facebook Ambasada ka shkruar se shpreson që ky film të hyjë në Akademinë e Çmimeve Oscars,
”Jo vetëm që [Hive] u bë filmi i parë në historinë e festivalit Sundance që fitoi tre çmimet më të mira në garën botërore të kinemasë, por tani ka një shans të madh për t’u bërë pretendenti i parë i Kosovës për Oscar në kategorinë më të mirë ndërkombëtare të filmit”, thuhet në postimin e Ambasadës.

Anëtarët në Akademinë e Filmit po vazhdojnë votimet për filmat që do të nominohen për çmimet “Oscars”. Emrat e filmave të nominuar pritet të bëhen të ditur më 8 shkurt, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscar 2022” do të mbahet më 27 mars.
Në garë të ngushtë për nominim është edhe filmi kosovar “Zgjoi”.
Filmi “Zgjoi” sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në “Sundance 2021” dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare, gjithashtu propozim i Kosovës për “Oscars 2022”.
Filmi “Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Më 28 tetor, në Prishtinë është dhënë premiera e këtij filmi të vlerësuar lartë, ku pjesëmarrës kanë qenë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti./21Media

Back to top button