Ambasada Britanike mohon se e ka propozuar apo e ka përkrahur Feride Rushitin për presidente

Ambasada Britanike në Kosovë për RTV21 ka thënë se nuk e ka propozuar apo ka mbështetur ndonjë kandidat për President të Kosovës.
Kandidatja e Vetëvendosjes për Presidente të Kosovës, Feride Rushiti në konferencën e mbrëmshme ka deklaruar se mbështetjen për të marrë postin e presidentes, e kishte marrë nga partnerët ndërkombëtarë” duke iu referuar në veçanti “ambasadës angleze.”
“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” , ka deklaruar ajo mbrëmë.
Ambasada Britanike në përgjigjen dhënë RTV21 mohon një gjë të tillë duke shtuar se si në zgjedhjet e kaluara inkurajojnë të gjitha partitë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
“Vërejmë se partitë kanë tentuar dhe kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës, dhe si rezultat Kosova do të mbajë zgjedhje të reja kombëtare. Ashtu si në zgjedhjet e tjera të fundit, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha partitë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe të zhvillojnë fushatën në mënyrë konstruktive dhe me respekt.
Është rol ekskluziv i partive politike të diskutojnë dhe të propozojnë kandidatë të mundshëm për zgjedhje. Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë,”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike në Kosovë./21Media