Ambasada e Italisë reagon pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë
Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë.
Në reagim thuhet se kërcënimet dhe frikësimet janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.
Ambasada e Italisë e ka shpërndarë reagimin e shefit të EULEX-it në Kosovë i cili i ka quajtur të papranueshme këto kërcënime.
“Policët e rinj nga komunitetet joshumicë të Kosovës meritojnë mbështetjen tonë të pakushtëzuar, veçanërisht nga qytetarët e komunave në të cilat janë caktuar. Kërcënimet dhe frikësimet janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Italisë në Twitter.
E Giovanni Pietro Barbano ka thënë se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm.
“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapodislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar Barbano në Twitter.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se fushata kundër policëve serbë në rrjetet sociale, e cila synon t’i frikësojë dhe kërcënojë ata, është e papranueshme për Qeverinë e Kosovës. Ai tha se institucionet e sigurisë do t’u ofrojnë mbështetje të plotë policëve të rinj.
Kërcënimet i dënoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ne qëndrojmë pranë policëve tanë, ndërsa ata shërbejnë me guxim për një ambient më të sigurt për të gjithë”, tha presidentja Osmani.