Ambasada e Kosovës në SHBA kërkon ndriçimin e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kërkuar ndriçimin e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale kjo ambasadë ka thënë se kryesit e krimit dhe ata që mbuluan rastin për 24 vjet duhet të mbahen përgjegjës.

“Ende nuk ka drejtësi për vrasjen e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit. Është e pafalshme që deri më tani asnjë individ nuk është dënuar për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi në Serbi. Ata që janë përgjegjës për këtë krim dhe mbulimin e tij gjatë 24 viteve të fundit duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në postimin e ambasadës.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada e SHBA-së në Beograd duke bërë thirrje Serbisë që të gjenden dhe të dënohen dorasit që morën pjesë në vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi, përderisa po mbaheshin në paraburgim nga policia serbe, 24 vjet më parë.

Vëllezërit Bytyqi ishin anëtarë amerikano-kosovarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u vranë nga policia serbe menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, teksa ishin në paraburgim në Serbi.

Trupat e tre vëllezërve u zbuluan në korrik 2001 në një varr masiv që përmbante 70 shqiptarë. Trupat u gjetën me duar të lidhura dhe me plagë me armë zjarri në kokë./21Media

Back to top button