Ambasada gjermane reagon për arrestimin e drejtorit të VisaMetric

Ambasada e Gjermanisë në Kosovës ka reaguar lidhur me arrestimin e  drejtorit të qendrës për pranimin e aplikacioneve për viza të VisaMetric duke thënë se me vëmendje po ndjek procesin gjyqësor ndaj tij.

“Ambasada është në dijeni për arrestimin e drejtorit të qendrës për pranimin e aplikacioneve për viza të VisaMetric dhe, me vëmendje po ndjek procesin gjyqësor ndaj tij. Pasditën e datës 16 maj 2023, ambasada për herë të parë mësoi për vendimin e Gjykatës Komerciale kundër VisaMetric, në të njëjtën ditë, kur VisaMetric përmes avokatit të saj edhe pranoi vendimin e shkallës së dytë. VisaMetric, menjëherë pasi mësoi për aktgjykimin, në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin dhe Ambasadën Gjermane në Prishtinë, filloi zbatimin e tij”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Tutje bëhet e ditur se nga dita e nesërme, të gjithë aplikantëve u është dhënë mundësia që në momentin e parashtrimit të kërkesës të zgjedhin mes tërheqjes personale dhe kthimit të pasaportës përmes shërbimit postar me kosto shtesë, si në procedurën e deritashme.

“Personat të cilët nga data 17 maj vendosin për tërheqje personale të pasaportës, ndërsa gjatë caktimit të terminit kanë paguar shërbimin postar për kthimin e pasaportës, do të rimbursohen. Që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktoni terminin në mënyrë elektronike. Njoftimin për këtë, VisaMetric e publikoi në mbrëmjen e datës 16 maj në faqën e saj të internetit.Në kontratën e lidhur në mes VisaMetric dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, VisaMetric obligohet të respektojë përcaktimet e Ligjit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave. Prandaj, VisaMetric duhet të operojë infrastrukturën e saj të teknologjisë së informacionit në përputhje me kërkesat e Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit për Administratën Publike, dhe mund të ruajë të dhënat personale të aplikantëve vetëm në serverë brenda Zonës Ekonomike Evropiane. Të dhënat e regjistruara alfanumerike dhe biometrike të aplikantëve i dërgohen ambasadës në formë të koduar. Këto të dhëna nuk ruhen në pajisjet e shërbyesit të jashtëm VisaMetric. VisaMetric edhe më tej është i obliguar që menjëherë pas dërgimit të fshijë të gjitha të dhënat e aplikantëve dhe të sigurojë që për caktimin e terminit të ruhen vetëm emri, të dhënat e kontaktit si dhe numri i pasaportës deri në momentin kur pasaporta i kthehet aplikuesit, dhe që këto të dhëna më pas të fshihen menjëher”, thuhet tutje në reagimin e ambasadës./21Media

Back to top button