Ambasadorët e QUINT-it i kundërpërgjigjen Bislimit, ftojnë në takim OJQ-të serbe

Dy ditë pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kritikoi emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pasi ai u takua me disa përfaqësues të organizatave joqeveritare serbe, Ambasadorët e QUINT’it i janë kundërpërgjigjur Qeverisë së Kosovës duke ftuar në takim të njëjtat OJQ.

Pamje nga takimi ka publikuar Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili i ka quajtur “partnerë të besueshëm”.

“Ambasadorët e QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia] dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t’u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës – të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka shkruar Rohde, në platformën X.

Pas takimit të Lajçakut me këto OJQ, Bislimi e kishte akuzuar për qasje jo të drejtë dhe jo neutrale.

Sipas Bislimit, delegacioni që ka takuar Lajçak përbëhet kryesisht nga organizata joqeveritare serbe nga Kosova që sipas tij në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të serbëve lokalë në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës.

Për këtë deklaratë të Bislimit, mbrëmë ka reaguar ashpër Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Back to top button