Ambasadori amerikan: Votimi për ushtrinë, historik për Kosovën

Ambasadori amerikan u shpreh se seanca e nesërme e Kuvendit dhe ceremonia e FSK-së duhet të jenë raste për reflektim për paqe

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett është shprehur se votimi i nesërm në Kuvend i tri ligjeve të FSK-së për trasformimin në ushtri të Kosovës është historik për Kosovën.

Përmes një postimi në Twitter, Kosnett është shprehur se SHBA do ta mbështesë evolucionin organizativ të FSK-së.

“Votimi i nesërm për transicionin e FSK-së është historik për Kosovën. SHBA do ta mbështesë zhvillmin profesional dhe evolucionin organizativ të FSK-së, e cila duhet të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar karakterin shumëetnik të vendit dhe përkushtimin e popullit të Kosovës për paqe”, ka shkruar ambasadori Kosnett.

Sipas ambasadorit amerikan, seanca e nesërme e Kuvendit dhe ceremonia e FSK-së duhet të jenë raste për reflektim solemn dhe ripërkushtim për paqe, stabilitet e prosperitet për Kosovën dhe fqinjët e saj.

“Tani është koha për të gjithë liderët dhe faktorët ta fokusojnë energjinë në dialog”, ka shkruar më tutje ambasadori amerikan.

Nesër nga ora 10:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të hidhet në votim transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Në rend dite do të jetë shqyrtimi i tri projektligjeve: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa ceremonia në Ministrinë e FSK-së do të mbahet nga ora 17:00.

Komandanti i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli, admirali James Foggo dje ka thënë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri është vendim sovran dhe NATO-s i mbetet ta respektojë atë./21Media

Back to top button