Kosova duhet të ketë gjykatë komerciale

Tahiri ka thënë se nevojën për një gjykatë komerciale e ka parë edhe me mbylljen e Gjykatës Ekonomike

Krijimi i një gjykate komerciale-tregtare është e domosdoshme për Kosovën, pasi kjo do të ndihmonte që lëndët e bizneseve të zgjidhen më lehtë dhe më shpejt.

Ky konkluzion ka dalë nga diskutimi që ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pasur sot me profesorët e Fakultetit Juridik, ku tema e diskutimit ishte pikërisht krijimi i gjykatës komerciale.

Përveç nevojës për gjykatë komerciale, nga profesorët është thënë se do të duhej që të bëhej edhe një gjykatë tatimore, ndërkohë që është shtruar edhe nevoja për rritje të numrit të gjyqtarëve.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se nevojën për një gjykatë të tillë e ka parë edhe me mbylljen e Gjykatës Ekonomike, ndërkohë që tash ka bërë të ditur se është një departament në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që ka katër gjyqtarë dhe Shkalla e Apelit ku për çështjet që vijnë prej këtij departamenti është vetëm një gjyqtar.

Ndërsa, dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi ka thënë se sfidë që e kanë parë ata është pritja e gjatë e bizneseve për zgjidhje të një lëndë, e që sipas tij mosshqyrtimi i një lënde për një kohë të gjatë dërgon në falimentim të biznesit.

Ai ka pasur një kërkesë që përveç gjykatës komerciale të shtohet edhe numri i gjyqtarëve.

Për këtë ka reaguar ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka shtuar se deri në mars të vitit të ardhshëm do të jenë 162 gjyqtarë të ri në kuadër të sistemit të ri gjyqësor.

Ndërkaq, profesori Bedri Peci ka thënë se gjykata komerciale është e domosdoshme, megjithatë ai ka thënë se duhet të bëhet edhe gjykata tatimore.

Profesoresha Nerxhivane Dauti ka thënë se në Fakultetin Juridik e kanë një drejtim kontrata dhe e drejta komerciale, ku përgatisin studentë të kësaj fushe.

Ndryshe, diskutimi i sotëm është mbajtur në kuadër të kampanjës ‘’Drejtësia dhe Biznesi‘.

Back to top button