Berishaj i quan shpifje raportimet për shpëlarje parash

Ambasadori intervistohet para Komisionit Hetimor

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë raportimit në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, i ka quajtur shpifje raportimet në mediat sllovene se i njëjti ka qenë i përfshirë në një skandal për shpëlarje parash.
Para deputetëve, Berishaj ka thënë se kjo çështje ka qenë në media vetëm një ditë para zgjedhjeve në Slloveni dhe se nuk është përmendur më asnjëherë, çka sipas tij është bërë për të ndikuar në zgjedhje.
“Këtu quhet aferë, quhet rast, mirëpo quhen media ndërkombëtare, ka qenë një prononcim i një portali, një portal që e ka peshën sa ia jep peshën, natyrisht nuk jam marrë me problemin e peshës së tyre, jam marrë me problemin, i cili ishte një ditë para zgjedhjeve në Republikën e Sllovenisë. Në kulmin e debatit, i cili po zhvillohej, e unë duhet të shtoj se qysh në moshën 16-vjeçare jam në Slloveni. Atje kam studiuar, kam punuar kohë të gjatë si profesor, ne njihemi me gjithë klasën politike në Slloveni, prej ish-kryetarit të shtetit që ka qenë shok i klasës ime, prej kryetarit të qeverisë, por këto nuk kanë lidhje të mëdha. Lajmin i cili ma kanë kumtuar mua, unë e nuk e kam shikuar, mirëpo mundësia teknologjike ta bën që ta kthesh prapa dhe deri në atë natë ka qenë niveli i përqindjes së njërës palë në zgjedhje dhe tjetrës ka qenë 21%. Pyet, a njihni profesor Martinin, po e njoh, ju jeni fotografuar me të, gjëra koti të cilat lidheshin me një shpifje të cilën e ka folur ai portali”, ka thënë ai.
Berishaj ka thënë se është bërë padia ndaj portalit dhe se tani është në procedurë.
“Unë e kam hedhur në gjyq në Qarkun në Lubjanë për shpifje portalin, i cili ka shpifur, sepse liria dhe e drejta e shtypit nuk nënkupton lirinë për të folur kush çka t’i bie ndërmend, por lirinë e çdonjërit me një të vërtetë të argumentuar dhe nëse ajo e vërtetë nuk argumentohet, pastaj mundësia e tij gjithmonë ekziston që të bëjë padi. Unë e kam bërë atë padi, është në procedurë, andaj ishte vetëm një moment në mediat ndërkombëtare, do të thotë atë natë është përmend në Lubjanë dhe kurrë më, sepse kanë ndodhur zgjedhjet, asnjë televizion, as në agjencinë shtetërore të lajmeve, as televizioni shtetëror as privat, nuk janë marrë me atë problem. Shumicën e gazetarëve tanë i kam pasur studentë këtu dhe u them kur mungon lapsi për të shkruar, baca Martin ta blen lapsin, shkruaj sa të duash, sepse unë jam për atë që në Kosovë të vlejë fjala e lirë, unë për media kosovare nuk kam pushkë, ata e kanë të drejtën të shkruajnë siç kërkohet, por është mirë që të argumentohet”, ka thënë Berishaj.
Ndërsa nga kryesuesi i Komisionit, Driton Selmanaj, Berishaj është pyetur rreth kompanisë MB Consulting në Mal të Zi e për të cilën ai ka thënë se nuk funksionon nga viti 2020.
“MBConsulting është një firmë që e kam formuar në vitin 2017 në Mal të Zi. Ajo nuk funksionon nga viti 2020. Ajo i ka kryer të gjitha obligimet, nuk ka hyrje-dalje, të gjithë obligimet të cilat kanë qenë në formë kontraktuale, është në mbyllje, nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon, nuk është e mbyllur fizikisht, sepse procedura në Mal të Zi është e tillë. Kur jam bërë ambasador as nuk më ka ra ndërmend që të merrem me atë problem”, ka thënë Berishaj.
Ndërsa për një kompani tjetër që figuron në emrin e tij në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, Berishaj ka thënë se të njëjtën e ka shitur në vitin 2019.
Ambasadori Berishaj e ka pranuar se ka punuar si këshilltar në kompaninë serbe GEN, e cila merret me tregtimin e energjisë. Megjithatë, ai ka thënë se prej kur është bërë ambasador në vitin 2020, nuk ka marrëdhënie kontraktuale me atë kompani.
“Dua të jem shumë i qartë për ata që e njohin shumë mirë ekonominë, nuk ka asnjë lidhje. Kur i kam dëgjuar është si të thuash, emrin e një firme që i përngjan firmës tjetër qenkam me këtë firmë. Unë GEN-in e njoh natyrisht, është një firmë e cila i ka 25 vende të botës, 13 bursa ndërkombëtare të shitblerjes se energjisë, është plotësisht qind për qind në pronë sllovene, kam qenë aty si këshilltar. I kam dhënë këshilla se çka do të duhej të bëjë një firmë e madhe, GEN është e regjistruar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë në vitin 2009, e ka licencën nga viti 2009 dhe bën shitblerje. Nga viti 2019, 2020 unë nuk jam më me ta, pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”, ka thënë Berishaj.
Berishaj ka thënë se ka qenë transparente çdo marrëveshje kontraktuale në mes kompanisë GEN dhe kompanisë së tij në Mal të Zi.
Gjithashtu ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë takim me kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Berishaj ka thënë se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë komunikim me kryeministrin Albin Kurti, ministrat apo zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës lidhur me krizën energjetike.
Deputeti Abelard Tahiri e ka pyetur Berishajn nëse mjetet nga kompania GEN që kanë përfunduar në kompaninë e tij, janë përdorur për ndonjë fushatë zgjedhore të kryeministrit Kurti, çka është mohuar nga ambasadori Berishaj.
“Me përgjegjësi morale, juridike, por edhe si person, ato mjete nuk kanë përfunduar as të kryeministri Kurti, as të kryetari Memli Krasniqi, as të zotit Abdixhiku, as të Ramush Haradinajt, askund, nuk janë investuar dhe nuk kanë shkuar, dhe ju falënderohem për pyetje konstruktive, nuk ka ndodhur. Asnjë mjet nuk ka përfunduar as në Slloveni për të cilën do të përgjigjet ai zotëria që ka folur ashtu, do të përgjigjet para gjykatës së Qarkut të Lubjanës, e as në Kosovë”, ka thënë Berishaj.
Periudha e hetimit nga ana e këtij komisioni parlamentar është 1 korrik 2021 deri 5 maj 2022.

Back to top button