Ambasadori francez për sulmet në veri: Aktet e frikësimit janë shqetësuese

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka reaguar pas incidenteve me granata dore që ndodhën të martën në veri të Mitrovicës, ku persona të maskuar dëmtuan zyret e komisioneve komunale zgjedhore në këtë pjesë.
Guerot ka thënë se aktet e frikësimit janë shumë shqetësuese.
“Aktet e frikësimit janë shumë shqetësuese. Dialogu është rruga para”, ka shkruar ambasadori francez në Twitter.
Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Policia e Kosovës ka njoftuar dje se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës”, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.
Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor./21Media

Back to top button