Ambasadori gjerman i rekomandon Kosovës të angazhohet më shumë te vendet skeptike

Ka përfunduar takimi i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, ku është diskutuar për liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.
Kryetari i Komisionit, Haki Abazi në një konferencë për media, ka thënë se ambasadori gjerman ka kërkuar që dialogu me Serbinë të jetë sa më konstruktiv që është e mundur. Ndërkohë ka shtuar se Gjermania është e interesuar që çështja e liberalizimit të vizave të përfundojë sa më shpejtë që është e mundur.
Lidhur me këtë, Abazi ka thënë se ambasadori gjerman i ka rekomanduar Kosovës që të angazhohet më shumë te vendet që janë skeptike.
“Liberalizimi i vizave është një ndër temat për të cilat diskutuam bashkë. Interesimi i Gjermanisë është që kjo të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, shumica e vendeve janë pro. Mirëpo ishte edhe rekomandimi i ambasadorit që të angazhohemi më shumë te vendet që janë skeptike. Temë tjetër të cilën e mbuluam së bashku janë investimet tjera nga kompanitë gjermane. Mjedisi investiv duhet të vazhdojë të përmirësohet, sidomos në luftën kundër korrupsionit. U veçua në mënyrë eksplicite numri i lartë i gjermanfolësve”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se dialogu duhet të kthehet në çështje të ndërsjellta mes Kosovës dhe Serbisë, e jo për çështje të brendshme të Kosovës, siç e ka keqpërdorur Serbia.
“Çështja e dialogut me Serbinë ishte temë e diskutimit. Ambasadori kërkoi që ky dialog të bëhet në mënyrën më konstruktive të mundshme. Insistimi jonë ishte që ky dialog të mos përdoret për ta mbajtur peng integrimin e Kosovës, siç e ka mbajtur në të kaluarën. Interesimi jonë është që dialogu të mos ndikojë në aspektet tjera, pasi që Serbia e ka përdorur dialogun për ta prolonguar procesin e integrimit të Kosovës”, ka theksuar ai.
Abazi ka komentuar edhe vizitën e Richard Grenellit në Kosovë:
“Grenell është i mirëseardhur në Kosovë dhe në rajon, por nga aspekti institucional ai ka përgjegjësi tjera. Ka vetëm një marrëdhënie institucionale, ajo mes administratës Biden dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Back to top button