Ambasadori gjerman uron Kosovën: Të lumtur që kemi një mik kaq të ngushtë pranë nesh

(Lajm i përditësuar)
Rohde uron Kosovën: Të lumtur që kemi një mik kaq të ngushtë pranë nesh
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka uruar për Pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se vendi i tij është i lumtur që ka një mik të ngushë si Kosova pranë.
“Urimet e mia të përzemërta Kosovës për 15 vjetorin e Pavarësisë! Gjermania është e lumtur që ka një mik kaq të ngushtë pranë saj. Gëzuar të gjithë kosovarët që festojnë sot!”, ka shkruar Rohde në Twitter.
​Blinken uron Kosovën, përparimi është i jashtëzakonshëm
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka uruar popullin e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë. Në letrën e tij, Blinken ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në këta 15 vjet, duke shprehur mirënjohje për rreshtimin e saj krah vendeve perëndimore në rastin e Afganistanin dhe luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë Blinken.
Letra e plotë:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës në përvjetorin tuaj të pesëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur.
Këtë vit, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova riafirmuan partneritetin tonë të fortë dhe përkushtimin e përbashkët ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës ndërsa përballemi me sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane. Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse.
Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët. Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj.
Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes popullit tonë. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohje eventuale reciproke në qendër, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik. Përsëri urime të gjithë popullit të Kosovës – mikut, partnerit dhe aleatit tonë – në këtë ditë të rëndësishme. Ju uroj një vit të qetë dhe të begatë.
​Hovenier: Kosova ka bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 viteve të fundit
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka përcjellur një urim me rastin e shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Kam pasur privilegjin dhe nderin të jem pjesë e historisë sonë të përbashkët, duke parë Kosovën duke bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 viteve të fundit”, ka shkruar Hovenier në Tweet.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Kam pasur privilegjin dhe nderin të jem pjesë e historisë sonë të përbashkët, duke parë Kosovën duke bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 viteve të fundit. Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen tonë të hershme dhe të qëndrueshme për dhe partneritetin me popullin kosovar. Kosova15”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
​Haradinaj në Prekaz uron 15-vjetorin e pavarësisë: Jasharajt ndryshuan historinë tonë të re
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Haradinaj ka thënë se familja Jashari ndryshoi rrjedhën e historisë së re të Kosovës.
“Në Prekaz, aty ku buron liria. Nderimi është i përhershëm për Jasharajt dhe Kryekomandantin Adem Jashari, të cilët ndryshuan rrjedhën e historisë sonë të re.
Kosovë, urime 15-vjetori i Pavarësisë!”, ka shkruar ai në Facebook.
​Nura uron 17 shkurtin: Na mungojnë ish-krerët e UÇK-së
Në ditëlindjen e 15 të pavarësisë së Kosovës, homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, kanë bërë edhe përfaqësuesit e Komunës së Skenderaj.
Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura derisa uroi festën të gjithëve, tha se edhe në këtë festë vërëhet mungesa e ish-krerëve të UÇK-së.
“Më lejoni të shprehi urimet më të mira edhe atij që shpalli pavarësinë, presidentit Hashim Thaçit, kryeparlamentarit Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe të gjithë atyre që sot janë atje padrejtësisht”, tha ai, duke shtuar se ata po mungojnë edhe në këtë festë.
​Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë mesazh urimi me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka dërguar mesazh urimi me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Nikolla mes tjerash ka thënë se si sot, 15 vjet më parë, në atë dimër shprese të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Pergamena 200-vjeçare në të cilën janë “qëndisur” teksti dhe nënshkrimet e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, është simboli i përpjekjeve titanike të vëllezërve kosovarë për çlirim, liri, pavarësi e drejtësi.
“Në këtë ditë historike i shpreh urimet e mia dhe të Kuvendit të Shqipërisë, Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetarit Glauk Konjufca si edhe popullit të Kosovës”, ka shkruar Nikolla.
“ Si sot, 15 vjet më parë, në atë dimër shprese të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Pergamena 200-vjeçare në të cilën janë “qëndisur” teksti dhe nënshkrimet e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, është simboli i përpjekjeve titanike të vëllezërve kosovarë për çlirim, liri, pavarësi e drejtësi. Pavarësia e Kosovës është vijimi logjik i Kosovës së lirë. Kosovës e lire është rezultat i luftës çlirimtare të UÇK dhe popullit kosovar. Rezultat i rezistencës dhe përpjekjeve paqësore të popullit dhe udhëheqësve kosovarë për të sensibilizuar ShBA, BE dhe vendet e tjera të botës së qytetëruar. Të gjithë këta faktorë bënë të mundur çlirimi dhe liria e Kosovës të bëhej provë e ndërgjegjes së botës së lirë ndaj një populli të shtypur. Kuvendi i Shqipërisë është në mbështetje të së vërtetës dhe të së drejtës për luftën çlirimtare të UÇK, integrimeve evro-atlantike, rritjes së njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dialogut të këshilluar nga ShBA e BE dhe ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe rritjes së kontributit të Kosovës për paqen dhe sigurinë në rajon, kontinent e më gjerë. Në këtë ditë historike i shpreh urimet e mia dhe të Kuvendit të Shqipërisë Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarit Glauk Konjufca si edhe popullit të Kosovës”, ka shkruar Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
​Arifi: 17 Shkurti-kurora e rrugëtimit plot sakrificë
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi në 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ka shkruar se në këtë ditë të madhe për kombin tonë, aspiratë e përbashkët mbetet rruga plot sfida drejt integrimit në bashkinë europiane për një shtet të konsoliduar e demokratik.
Ai ka shkruar në Facebook se sot Kosova jonë shënon 15 vjetorin e pavarësisë së saj, të cilën e shpalli nëntë vjet pasi doli nga lufta me pasoja materiale e humbje të mëdha jetësh në njerëz.
“Në kremten e kësaj dite, me emocion të veçantë kthehemi në ditët e zorshme e kujtojmë shkrepjet e fundit për familjen Jashari e Haradinaj, e familjet e mëdha që ranë për Kosovën e që u bënë lajm i lirisë. Kjo ditë, është edhe e Ibrahim Rugovës, Adem Demaçit e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, e shokëve të luftës që sot e kësaj dite gjykohen padrejtësisht se punuan fort për të mbrojtur pragun e shpisë dhe për t’i falë popullit të vet lirinë. Falë tyre, sot Kosova me mburrje feston 15 vjet shtet i lirë. Në këtë ditë të madhe për kombin tonë, aspiratë e përbashkët mbetet rruga plot sfida drejt integrimit në bashkinë europiane për një shtet të konsoliduar e demokratik! Gëzuar Pavarësinë Kosovë. Të fala nga Presheva”, ka shkruar ai.
​Abdixhiku: Të mirët tanë lartësuan shtetin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“Të mirët tanë lartësuan shtetin, të drejtit i dhanë shkëlqimin e përditshëm. Të gjithë bashkë i bëmë vendin – të barabartë mes popujve të lirë. Kjo ëndërr e ky rrugëtim duhet të vazhdojë me po aq përkushtim. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e pavdekshme. Urime dita e pavarësisë Kosovë! Të paqim përgjithmonë!”, ka shkruar Abdixhiku.
“Sot kujtojmë aktin themeltar të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, prirja e të cilit ishte udhërrëfim drejt shtetit tonë. Kujtojmë sakrificën e Jasharajve e gjithë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të rënë në altarin e lirisë”, ka thënë mes tjerash Abdixhiku.
Xhaçka: Ditë krenarie dhe nderimi për ata që punuan e luftuan për Kosovën
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka uruar përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se është ditë për t’u ndjerë krenarë për sa shumë është arritur në këto 15 vjet.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës vëllezërve e motrave tona në Kosovë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Një ditë për t’u ndjerë krenarë për sa shumë është arritur në këto 15 vjet dhe për të kujtuar me nderim të gjithë ata që punuan e luftuan duke sakrifikuar gjithçka për Kosovën e pavarur”, tha shkruar ajo.
Xhaferi uron Kosovën për 15 vjetorin e pavarësisë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me anë të një postimi në Facebook shprehu urimet e tij të përzemërta për Kosovën në 15-vjetorin e pavarësisë, duke e cilësuar vendimin historik, të përgjegjshëm, të shumëpritur dhe tej mase të guximshëm të qytetarëve kosovarë dhe Republikës së Kosovës.
“Shpreh urimet e mia të përzemërta me rastin e 15-vjetorit të marrjes së vendimit historik, vendimit aq të përgjegjshëm por njëherazi edhe të shumëpritur dhe tej masë të guximshëm të qytetarëve kosovarë dhe Republikës së Kosovës! Vizioni i burrështetasve Rugova, Jashari, largpamësia, mençuria dhe vullneti i palëkundshëm për ndërtimin e një shteti të lirë dhe të pavarur ishte rruga që e trasuan dhe plot 15 vite e ndjekin me devotshmëri gjeneratat e reja, duke e kompletuar imazhin e Republikës së Kosovës bashkëkohore, demokratike, progresive dhe paqedashëse. I gëzofsh edhe shumë përvjetorë Kosovë, në paqe, mirëqenie dhe reflektim pozitiv dhe të respektueshëm në rajon dhe më gjerë!”, thuhet në urimin e Xhaferit.
Rama uron pavarësinë e Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka postuar një fotografi dhe shkurt ka shkruar “Gëzuar Pavarësinë”.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Back to top button