Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Krasniqi fillimisht ka falënderuar ambasadorin për ndihmën dhe përkrahjen që BE-ja po e jep për Kosovën për zhvillim dhe përparim sa i përket proceseve integruese.

Ndërkaq, temë e diskutimit ka qenë edhe situata me pandeminë COVID-19 dhe ndikimi i saj në ekonominë e vendit.

Krasniqi ka thënë se krahas menaxhimit të pandemisë si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë kanë qenë të angazhuar t’i mbrojnë konsumatorët dhe njëkohësisht t’i përkrahin edhe bizneset.

“Kemi marrë disa vendime që kanë pasur për qëllim mbrojtjen e konsumatorit. Kam qenë në terren bashkë me inspektorë të tregut për të parë zbatimin e vendimeve. Pos kësaj po presim që edhe ligji për rimëkëmbje ekonomike të kalojë në Kuvend dhe bizneset të kenë një ndihmë nga shteti në mënyrë që ekonomia e vendit të jetë funksionale”, është shprehur ministri Krasniqi.

Një shqetësim tjetër që ministri Krasniqi e ka adresuar te ambasadori ishin pengesat që shteti fqinj Serbia po i qet për produktet e prodhuara në Kosovë.

“Kërkoj nga BE-ja që ta ushtrojë autoritetin e vet tek Serbia që t’i respektojë marrëveshjet e arritura për lëvizje të lirë të mallrave në CEFTA”, ka deklaruar Krasniqi.

Ambasadori i BE-së, Szunyog ka përgëzuar ministrin për punën dhe ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e Kosovës për të pasur një ekonomi më të qëndrueshme dhe zhvillim më të madh në këtë drejtim, si dhe fondin nga BE-ja për rimëkëmbje ekonomike prej 5 milionë eurosh në kuadër të ndihmës për tejkalimin e pandemisë COVID-19.