Ambasadori i Francës reagon pas kërcënimeve ndaj policëve të komunitetit serb që nisën punën në veri

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka reaguar pas mesazheve kërcënuese që kanë marrë policët e komunitetit serb që nisën dje punën në veri.

Guerot shpërndau postimin e shefit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, derisa tha se është me të vërtetë e rëndësishme që institucionet e Kosovës të pasqyrojnë diversitetin e shoqërisë.

“Është me të vërtetë e rëndësishme që institucionet e Kosovës të pasqyrojnë diversitetin e shoqërisë. Pajtohemi plotësisht me EULEX“, ka shkruar Guerot.

E Giovanni Pietro Barbano ka thënë se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapodislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar Barbano në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se fushata kundër policëve serbë në rrjetet sociale, e cila synon t’i frikësojë dhe kërcënojë ata, është e papranueshme për Qeverinë e Kosovës. Ai tha se institucionet e sigurisë do t’u ofrojnë mbështetje të plotë policëve të rinj.

Kërcënimet i dënoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ne qëndrojmë pranë policëve tanë, ndërsa ata shërbejnë me guxim për një ambient më të sigurt për të gjithë”, tha presidentja Osmani.

Back to top button