Ambasadori turk: Të bashkëpunojmë në luftën kundër terrorizmit

Me ceremoni përkujtimore është shënuar “15 Korriku-Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar” nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë. Në shtatë-vjetorin e tentimit për grusht shtet në Turqi janë kujtuar 251 të vrarët dhe mbi 2 mijë qytetarë të plagosur në këtë sulm. Aty u tha se ky akt terrorist dështoi për shkak të qëndrueshmërisë së shtetit. Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të luftohet terrorizmi në të gjitha format.

Në 7-vjetorin e tentativës të grusht shtetit të kryer nga organizata terroriste “FETO”, ambasadori turk në Kosovë, Sabri Tunç Angili tha se kjo ditë shënon kthesën e historisë së demokracisë turke.

“Më 15 korrik të vitit 2016, të premten në mbrëmje organizata terroriste ‘FETO’, nisën një tentativë të tmerrshme të grusht shtetit dhe sulmojnë presidentin e zgjedhur, parlamentin, institucionet demokratike dhe popullin. Pas qëndrueshmërinë së kombit tonë dhe besnikërisë së shumicës dërrmuese të forcave të sigurisë ndaj demokracisë, ky akt terrorist dështon. Megjithatë terroristet e ‘FETO-s’ morën jetën e 251 personave dhe i lanë më shumë se dy mijë të plagosur…. ‘FETO’ arriti të nis këtë sulm të pa precedent terrorist jo vetëm duke i mbështetur bashkëpunëtorët e saj vendas por edhe rrjetin e saj. Prandaj lufta jonë e vazhdueshme kundër ‘FETO-s’ dhe organizatave të tjera terroriste kërkon një dinacion të fortë ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar në tërësi duhet të luftojë kundër terrorizmit në të gjitha format dhe manifestimet e tij”, tha ai.

Diplomati turk u ka bërë thirrje të gjithë miqve ndërkombëtarë, përfshirë edhe Kosovën që të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit. Po ashtu, falënderoi për ndihmën dhe solidaritetin e treguar pas tërmetit.

“Kur flasim për fuqinë e Turqisë sot, nuk do të thotë vetëm fuqia ushtarake por që përfshin fusha të ndryshme si ekonomia, kultura dhe arti. Në fakt lidhjet e miqësisë të Turqisë, falë fuqisë së saj luajtën një rol të rëndësishëm në mobilizimin e të gjithë botës për të na ndihmuar për fatkeqësinë së tërmetit që përjetuam. Me këtë rast edhe një herë përgëzojmë me mirënjohje solidaritetin e sinqeritetin të vëllezërve tanë kosovarë për shërimin e plagëve tona”, shtoi ai.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button