Andersson jep dorëheqje disa orë pasi u bë gruaja e parë kryeministre në Suedi

Magdalena Andersson u shpall si udhëheqëse të mërkurën, por dha dorëheqje pasi partneri i saj i koalicionit u largua nga qeveria dhe buxheti i saj nuk kaloi në parlament.
Në vend të kësaj, parlamenti votoi për një buxhet të hartuar nga opozita, i cili përfshin të djathtën ekstreme kundër emigrantëve.
“Unë i kam thënë kryeparlamentarit që dëshiroj të jap dorëheqje”, tha Andersson para gazetarëve.
Ajo shtoi se shpresonte të bëhej sërish kryeministre, por që qeverinë ta udhëheq vetëm një parti.
“Ekziston një praktikë kushtetuese që një qeveri koalicioni duhet të japë dorëheqje kur një parti tërhiqet”, tha socialdemokratja.
“Nuk dua të drejtoj një qeveri, legjitimiteti i së cilës do të vihet në dyshim”, shtoi ajo.
Theksojmë se Andersson u zgjodh kryeministre gjatë ditës së sotme, sepse sipas ligjit suedez, asaj i nevojitej vetëm shumica e deputetëve për të mos votuar kundër saj.
Njëqind vjet pasi grave suedeze iu dha e drejta për të votuar, liderja 54-vjeçare socialdemokrate u duartrokit në këmbë nga deputetët.

Back to top button