“Besa Trans –Shkup”: Në autobusin e aksidentuar nuk ka pasur karburant për kontrabandë

Kompania “Besa Trans –Shkup” sot reagoi përmes një komunikate në lidhje me pretendimet se në autobusin e aksidentuar në Bullgari ka pasur karburant, i cili është kontrabanduar, përcjell TV21.
Nga kjo kompani apeluan që mos të spekulohet, por të priten përfundimet nga procesi i hetimit zyrtar.
“Si agjension njoftojmë të gjithë opinionin, familjarët e të të ndjerëve dhe të lënduarve nga rasti tragjik, se autobusi në asnjë mënyrë nuk ka pasur bagazh për kontrabandë me benzinë, naftë apo mjete piroteknike, të gjitha këto spekulime shërbejnë për qëllime keqdashëse duke u munduar që palë të caktuara të shfrytëzojnë nga tragjedia e ndodhur, kapaciteti total i autobusit ka qenë 450-500 litra naftë për shfrytëzim të vetë autobusit, dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur rezervuar rezervë për qëllime kontrabanduese, edhe njëherë lusim mediat që mos i përdorin këto dezinformata që edhe më shumë t’i lëndojnë familjarët, por edhe që bëhet pengesë për procesin e hetuesisë e cila u njoftua edhe zyrtarisht, detajet më të hollësishme i presim nga procesi hetues”,  u bë e ditur në reagimin e Besa Trans-Shkup.
Një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, dje është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë./21Media

Back to top button