Anëtarësimi në ICMP, Kurti: Edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

(lajm i përditësuar)

Anëtarësimi në ICMP, Kurti: Edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Kryeministri Albin Kurti i është gëzuar lajmit për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), duke thënë se ky anëtarësim është edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Sot, derisa përkujtojmë Masakrën e Rahovecit, nga e cila ende i kemi 11 persona të zhdukur, përkujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhduken me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës. Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj”, shkroi Kurti në Facebook.

I pari i Qeverisë tha se Kosova është mirënjohës për angazhimin dhe mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Kosovë.

“Falënderojmë Qeverinë e Mbretërisë së Holandës për rolin konstruktiv, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, shtoi ai.

“Kapacitetet tona institucionale e profesionale, përmes edhe angazhimit si anëtar në ICMP, do të jenë në shërbim të paqes dhe të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo”, përfundoi Kurti.

Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Kosova sot ka dorëzuar instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës  në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (International Commission on Missing Persons) me seli në Hagë, gjë e cila shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Dorëzimi u bo nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti dhe Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës  për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare,  zëvendësministri Ahmeti falënderoi drejtorin e Divizionit të Traktateve, Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndër-qeveritare e themeluar në vitin 1996, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal, etj.

Komisioni ka selinë në Holandë, në qytetin e Hagës dhe është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka qenë i angazhuar intensivisht edhe në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës së fundit, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme në procesin e identifikimit e mbetjeve mortore përmes përdorimit të metodave shkencore të identifikimit. /21Media

Back to top button