Angelina Jolie fiton apelin për ndërrimin e gjykatësit në padinë ndaj Brad Pitt

Angelina Jolie ka arritur një fitore në betejën e divorcit nga Brad Pitt teksa gjykatësi i çështjes është skualifikuar nga Apeli.

Aktorët e famshëm të Hollywood-it vijojnë betejën e ashpër për kujdestarinë e fëmijëve të tyre, që prej padisë së divorcit të depozituar nga Jolie në vitin 2016.

Gjykatësi privat John Ouderkirk, dha një vendim për dhënien e kujdestarisë për Brad Pitt, në mars të këtij viti.
Por dje një gjykatë apeli në Kaliforni pranoi kërkesën e Jolie për të shkarkuar gjykatësin nga çështja.
Në vendim gjykata tha se Ouderkirk nuk kishte deklaruar marrëdhënien e tij të mëparshme të biznesit me avokatët e Pitt.
Gjykata tha se kishte “shkelje etike” që hidhnin gjykime mbi “aftësinë e gjykatësit për të qenë i paanshëm në çështje”.
Ky vendim do të thotë se beteja ligjore për pesë fëmijët e çiftit tani do të rinisë para një gjykatësi të ri.

Në SHBA mund të pajtohen gjykatës privatë për të ndërmjetësuar në çështjet e divorcit të personave të famshëm, për arsye privatësie.
Një zëdhënës i Pitt tha se vendimi bazohej në çështje teknike.
Përfaqësuesit e Jolie ende nuk kanë komentuar, por pas vendimit të parë në maj, një burim tha për agjencinë AFP se Jolie besonte se i ishte “mohuar një gjyq i drejtë”.
Jolie kishte kritikuar gjykatësin Ouderkirk për faktin se nuk lejoi fëmijët e çiftit të dëshmonin, Pax, 17 vjeç, Zahara, 16, Shiloh, 15 dhe binjakët 13-vjeçare Vivienne e Knox.
Biri i tyre i gjashtë, 19-vjeçari Maddox, nuk përfshihet në çështjen e kujdestarisë pasi është në moshë të rritur.
Çifti u ndanë në shtator 2016 teksa Jolie citonte si arsye “diferenca të pasheshueshme”.
Më parë çifti njihej si “Brangelina” nga fansat. Ata ishin njohur në setin e xhirimeve të filmit të aksionit “Mr and Mrs Smith” në 2004. Pasi u shoqëruan për 10 vjet, ata ishin martuar në 2014.
 

Back to top button