Ankth në Paris dhe Londër, Finlanda ngrit nivelin e alarmit

Evropa dhe terrorizmi

Policia franceze ka arrestuar katër anëtarë të familjes së ekstremistit, i cili vdiq pas sulmit të pasuksesshëm kundër policëve francezë në Shamp Elize, në qendër të Parisit, kanë njoftuar sot organet e drejtësisë.

Me këtë rast u arrestuan babai, bashkëshortja, vëllai dhe ish-bashkëshortja e personit që ndërmori sulmin. 31 vjeçari, i cili me automjetin e tij u përplas në automjetin e policisë franceze ka qenë pjesëtar i një lëvizje ekstremiste dhe me këtë është krenuar.

Ministria e Brendshme e Francës njoftoi se pas sulmit, në automjetin e tij janë gjetur armë zjarri dhe lëndë shpërthyese. Pas përplasjes, automjeti i sulmuesit u kaplua nga zjarri, e më pas shpërtheu. Ai vdiq si pasojë e plagëve të marra, ndërsa në mesin e policëve nuk pati të lënduar, shkruan rtv21.tv

Në Britani u publikuan detaje të reja për sulmuesin, i cili ndërmori sulmin terrorist para një xhamie në Londër, të dielën në mbrëmje. Babai i katër fëmijëve, Deren Ozborn 47 vjeçar, u arrestua pas sulmit në Finsburi, pasi që përplasin automjetin e tij në qytetarët, të cilët po dilnin nga xhamia.

Nëna, motra dhe mbesa e Ozbornit lëshuan një komunikatë, duke theksuar se janë të tronditura dhe se ende nuk po mund të pranojnë atë që ka ndodhur.Gjatë sulmit të ndërmarrë nga Ozborn u lënduan 11 persona. Një person ka vdekur, por ende nuk dihet se a ka vdekur si pasojë e sulmit.

Sulmi para xhamisë është i katërti i këtij lloji në Britani gjatë tre muajve të kaluar, pas sulmeve në Vestminster dhe London Brixh, si dhe atij në Mançester. Edhe policia në Finlandë ka njoftuar se ka nisur një aksion, pas kërcënimeve për një sulm terrorist kundër një kishe në qendër të Helsinkit.

Zyra Kombëtare e Finlandës për hetime njoftoi se ka pasur informata, në bazë të së cilave ka dyshuar se është duke u përgatitur një sulm terrorist dhe se policia ka ndërmarrë masa për tu përgjigjur ndaj kërcënimit./21Media

Back to top button