Bisedimet për ribashkim, jo të lehta

Sipas Eide duhet akoma punë

Bisedimet e reja për ribashkimin e Qipros, që do të nisin më 28 qershor në Zvicër, nuk do të jenë të lehta, paralajmëroi sot i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Qipro, Espen Barth Eide.

“Qëndrimet fillestare të palëve pjesëmarrëse janë shumë të ndryshme dhe duhet më shumë iniciativë dhe më shumë shpresë për të kapërcyer mosmarrëveshjet”, nënvizoi Eide në përfundim të një takimi me kreun e diplomacisë greke, Nikos Kotzias, raporton AFP.

“Të gjithë më kanë shprehur qëllimin për gjetjen e një zgjidhjeje, por nuk premtoj se kjo do të ndodhë, kjo nuk do të jetë e lehtë”, shtoi ai.

“Do duhej akoma më shumë punë për finalizimin e ribashkimit”, theksoi ai.

“Këto çështje kyçe përqendrohen tek garancitë dhe siguria, që kërkojnë një marrëveshje nga tre fuqitë garante të ishullit (Greqia, Britania e Madhe dhe Turqia) dhe elementet vendimtare të marrëveshjeve për t’u arritur mes dy komuniteteve të ishullit për ndarjen territoriale, të drejtat prioritare dhe ndarja e qeverisjes”, shtoi ai.

Ishulli i Qipros, në juglindje të Mesdheut, është ndarë që kur ushtria turke pushtoi në vitin 1974 pjesën veriore në reagim të një grushti shteti që parashikonte bashkimin e vendit me Greqinë.

Back to top button