Pas protestës së veteranëve u anulua konferenca e Trendafiloves

(Lajm i përditësuar)


Anulohet konferenca e Trendafiloves

Është anuluar konferenca e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Kjo erdhi pas protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para hotelit Sheraton ku pritej të mbahej konferenca.


​Protesta e veteranëve me tym, Gucati: Është anuluar konferenca e Trendafiloves

Kryetari i Organizatës së veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati i ka bërë thirrje mediave që të mos marrin pjesë në konferencën e Trendafiloves.

Ai tha se tymi i zi është hedhur për shkak se është ditë zie për ata.

“Kjo sa herë vjen në Kosovë, vjen për një të keqe. Sot vjen Trendafilova vjen në Kosovë mban konferencë, ku ne ende kemi të pagjetur”, tha Gucati.

Gucati tha se sipas informacioneve takimi është anuluar dhe Trendafilova nuk do ta mbajë konferencën për media.

Sipas tij, qëllimi i protestës është arritur.


Veteranët protestojnë kundër vizitës së Trendafilovas

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hedhur tym të zi para hotelit ku pritet të mbajë konferencë kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Policia e ka bllokuar hyrjen e hotelit.

“UÇK”, UÇK”, janë thirrjet që po dëgjohen.

Back to top button