Bërlloku “mbulon” Fushë Kosovën

Pamje të grumbujve të mbeturinave po shihen në disa pjesë të Fushë Kosovës. Në disa lokacione, mbetjet nuk janë larguar prej javësh, duke shtuar shqetësimet për higjienën dhe shëndetin publik. Komuna fajëson kompaninë rajonale të pastrimit për situatën e krijuar dhe thotë se është detyruar të shpallë gjendje emergjente për të angazhuar operatorë të tjerë në pastrimin e qytetit. Ndërsa nga kjo kompani nuk kanë pranuar të flasin kur janë pyetur nga KosovaPress.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë Kosovës, Izja Mjeku, thotë për KosovaPress se gjendja e krijuar është pasojë e disa problemeve teknike me të cilat po përballet kompania përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave.
“Kompetenca për pastrimin dhe mbledhjen e mbeturinave është e kompanisë rajonale ‘Pastrimi’, mirëpo kompania për shkak të problemeve teknike dhe arsyeve të tjera nuk po mund ta kryejë mbledhjen e mbeturinave. Prandaj, Këshilli për Siguri në Bashkësi në Komunën e Fushë Kosovës ka marrë vendim që të shpallë gjendjen emergjente, në mënyrë që të angazhohen operatorët e licencuar për mbledhjen e mbeturinave, me qëllim që të pastrohet qyteti dhe fshatrat e Fushë Kosovës, pasi ekziston rreziku që të shfaqet edhe ndonjë pandemi, sepse ka vende dhe pika ku mbeturinat nuk janë larguar deri në katër javë”, shprehet Mjeku.
E pakënaqësitë me kompaninë e pastrimit në këtë komunë thotë se janë të kahershme.
“Ne nuk kemi qenë të kënaqur pothuajse kurrë. Çdo herë KRM “Pastertia” ka operuar me dy apo maksimumi tre kamionë në Komunën e Fushë Kosovës, kur dihet se kjo komunë ka mbi njëqind mijë banorë dhe nuk mjafton as përafërsisht për sasinë e madhe të mbeturinave. Sipas matjeve dhe raportimeve, Fushë Kosovës i duhen mbi 5 ose 6 kamionë që të operojnë çdo ditë për ta mbajtur qytetin pastër. Ndërsa kompania ka ofruar vetëm dy, dhe ato me gjendje të keqe dhe me probleme teknike”, thotë ai.
Për situatën aktuale, Mjeku apelon qytetarët të kenë durim.
“I lusim qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës që të kenë durim edhe pak kohë, derisa të angazhohen operatorët privatë, pasi komuna ka hapur tenderin për blerjen e gjashtë kamionëve të rinj për mbledhjen e mbeturinave. Me ardhjen e tyre, shpresojmë që qytetarët nuk do ta kenë më këtë problem. Jemi të bindur se shumë shpejt, varësisht nga procedurat e prokurimit, do ta zgjidhim problemin e mbeturinave në Komunën e Fushë Kosovës.”
Për të marrë edhe qëndrimin e kompanisë, KosovaPress ka tentuar të kontaktojë menaxherin e Menaxher KRM “Pastërtia” Jetmir Berisha, megjithatë, ai nuk ka dhënë sqarime lidhur me situatën. Ai është shprehur se kompania ka problemet e veta dhe ka kërkuar që të mos kontaktohet më tej.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?