AP: Qytetarë nga Kosova mes të evakuuarve nga Izraeli

Si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, shumë vende kanë nisur evakuimin e shtetasve të tyre nga rajoni. Associated Press raporton se një grup prej 89 bullgarësh është evakuuar nga Izraeli për në Sofje, së bashku me 59 shtetas nga vende të tjera, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, SHBA-në, Belgjikën, Slloveninë dhe Rumaninë.

Shtetet po evakuojnë shtetasit e tyre nga Izraeli dhe Irani përmes ajrit, tokës dhe detit, ndërsa konflikti mes dy rivalëve të ashpër po përshkallëzohet.

Ditë të tëra sulmesh dhe kundërsulmesh nga të dyja palët kanë mbyllur hapësirën ajrore në gjithë Lindjen e Mesme, duke penguar rëndë fluturimet komerciale dhe duke e bërë të vështirë hyrjen ose daljen nga rajoni.

Disa qeveri po përdorin kufijtë tokësorë për të nxjerrë qytetarët e tyre me rrugë tokësore në shtete ku aeroportet janë ende të hapura, shkruan AP.

Mijëra të huaj kanë ikur që nga e premtja e kaluar, kur Izraeli nisi sulme të papritura me raketa ndaj Iranit.

Bullgaria ka zhvendosur të gjithë diplomatët e saj nga Teherani në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, tha të enjten kryeministri i vendit.

“Nuk po e mbyllim ambasadën, por po e zhvendosim përkohësisht në Baku derisa të kalojë rreziku,” deklaroi kryeministri Rosen Zhelyazkov.

Një grup prej 89 bullgarësh u evakuuan nga Izraeli me avion drejt Sofjes, së bashku me 59 shtetas nga Sllovenia, SHBA, Belgjika, Shqipëria, Kosova dhe Rumania.

Ata u nisën nga qyteti egjiptian Sharm el-Sheikh, ku ishin transferuar me autobus përmes kufirit nga Izraeli. Zhelyazkov tha se qeveria i kishte bërë thirrje të gjithë bullgarëve të gatshëm t’i bashkoheshin autokolonës. Ata u nisën me 11 automjete të mërkurën në mëngjes.

“Kishte alternativa. Mund të udhëtonin përmes Turqisë, por në fund vendosëm që të shkonin përmes Azerbajxhanit,” shtoi ai.

Bashkimi Evropian ka ndihmuar në evakuimin e rreth 400 personave nga Izraeli përmes Jordanisë dhe Egjiptit, si pjesë e reagimit emergjent brenda bllokut prej 27 shtetesh. Fluturimet janë bashkëfinancuar deri në 75% nga BE. Po ashtu, Sllovakia, Lituania, Greqia dhe Polonia kanë kërkuar ndihmë për evakuime nga Lindja e Mesme.

Back to top button