Apel për Grupet Parlamentare “të bëhen bashkë për punëtorët shëndetësor”

 

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës sot ka marr vendim që t’i adresohet të gjitha grupeve parlamentare të të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me kërkesë që në leximin e dytë të Projektbuxhetit për vitin 2021 të përfshihen shtesat mbi pagë.

Shtesa këto të cilat deri më tani i kanë gëzuar punëtorët shëndetësor.

Përmes një komunikate për media, Këshilli Drejtues bën apel tek Grupet Parlamentare që t’i lënë anash interesat e ngushta dhe njëherë të bëhen bashkë për punëtorët shëndetësor duke miratuar me buxhet shtesat të cilat do të vlejnë deri në përfundimin e Pandemisë COVID-19 respektivisht miratimit të Ligjit për Pagat në sektorin Publik.

“Mos miratimi SHTESAVE të bazuara në Ligj mbetet përgjegjësi e të gjithë deputetëve pa dallim partie. Apel i fundit mos i dëmtoni punëtorët shëndetësor, nuk kërkojmë lëmoshë por dinjitet dhe mirëqenie”, thuhet tutje në komunikatën e këshillit drejtues të FSSHK-së.

Kuvendi i Kosovës sot do të shqyrtojë në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021. Seanca është paraparë të fillojë në ora 14:00. Projektligji për Buxhetin kaloi dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës me 64 vota pro./21Media

Back to top button